Haradinaj u bën thirrje edhe Isa Mustafës e Behgjet Pacollit që t’i bashkohen
Kandidati i koalicionit PDK-AAK-NISMA për Kryeministër, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se gjatë vizitës së tij të sotme në rezidencën e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, ka marrë mbështetje nga familja Rugova, për formimin e Qeverisë.
Pas vizitës në familjen Rugova, Haradinaj lëshoi një deklaratë për media, në të cilën ai u bën thirrje që ta pranojnë ftesën të gjithë atyre, që sipas tij përqafojnë idetë e Presidentit Rugova, transmeton Periskopi.
Rrjedhimisht, kreu i AAK’së le të kuptohet se deputetja e LAA’së Teuta Rugova, vajza e presidentit Rugova, do ta votojë Haradinajn për kryeministër, ndaj mandatari i PAN’it ka ftuar që një gjë të tillë ta bëjnë edhe dy drejtuesit e koalicionit LAA, Isa Mustafa i LDK’së dhe Behgjet Pacolli i AKR’së.
“Shfrytëzoj rastin që nga kjo shtëpi, t’i bëj ftesë të gjithë atyre që përqafojnë idetë e Presidentit Rugova, e në veçanti kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe presidentit të AKR-së z. Behgjet Pacolli, që të mbështesin formimin sa më të shpejt të qeverisë së vendit dhe bashkimin e forcave shtet-formuese, për të përshpejtuar agjendën e forcimit të Republikës se Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike”, thuhet më tej në deklaratën e Haradinajt./Periskopi



