Hargreaves: Rinumërimi bart rreziqe për afatet, shumë e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet me kohë

Hargreaves: Rinumërimi bart rreziqe për afatet, shumë e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet me kohë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në vend, përfshirë vendimin për rinumërimin e të gjitha votave.

Hargreaves ka theksuar rëndësinë e rinumërimit për integritetin e procesit, teksa ka paralajmëruar se bart edhe rreziqe sa i përket afatave për zgjedhjen e Presidentit.

Ai ka nënvizuar se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të zhvillohet ashtu siç parashihet me afate. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se synon edhe një mandat në krye të vendit.

“Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur…është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, ka deklaruar Hargreaves.

 

Ambasadori ka uruar që procesi i rinumërimit të votave të përmbyllet sa më shpejt, që të procedohet me krijimin e institucioneve të reja.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas kësaj, partitë politike të bashkohen, Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të nisë punën, në mënyrë që buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratohen sa më shpejt”, ka deklaruar Hargreaves për T7.

Sipas tij, Kosova këtë vit duhet të bëjë përparim drejt integrimit evropian.

“Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit”.

 

 

Deri tani janë rinumëruar 742 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se rezultatet përfundimtare pritet t’i shpall në fillim të shkurtit.

Shpërndaje në: