Hasi në kërkim të historisë me Olimpiakos
Shkoi në Greqi me dy premtime të mëdha dhe shumë e kritikuan që në start. Ishte i guximshëm kur tha “dua grupet e Championsit dhe një ekip të madh”.
E arriti dhe mbajti fjalën. Besnik Hasi është në kërkim të historisë tashmë me skuadrën greke.
Pas hedhjes së shortit, trajneri shqiptar ka deklaruar se skuadrat janë shumë të mëdha përpara Olimpiakosit dhe ai vetë do të preferonte të tjerë emra.
“Do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer për skuadrën. Mendoj se do të jetë një grup shumë interesant edhe për tifozët tanë”, është shprehur fillimisht trajneri i Olimpiakosit.
GRUPI
Sipas Hasit, do të jetë mjaft e vështirë për të tentuar diçka dhe për të menduar që skuadra greke të arrijë diçka.
“Janë skuadra të mëdha që do t’i kemi përballë. Nëse do të bëjmë një vlerësim me qartësi, sigurisht që do të preferonim të tjera skuadra, ndaj të cilave të mund të bënim diçka të mirë”, ka vijuar trajneri i skuadrës greke për mediat vendase menjëherë pasi është hedhur shorti i Ligës së Kampionëve.
PËRFITIMI
Trajneri shqiptar ka marrë pjesë edhe një sezon më parë në grupet e Champions-it. Për të, është një kompeticion i njohur, ndaj edhe skuadra greke ka shumë për të mësuar prej tij.
Deri më tani, mediat greke kanë thurur elozhe për zgjedhjet taktike që ka bërë Hasi, duke ia faturuar atij një pjesë kryesore të suksesit të Olimpiakosit që siguroi grupet e Champions-it.
“Mund të them se do të fitojmë shumë eksperiencë me këto skuadra që do të përballemi”, ka deklaruar Besnik Hasi. Olimpiakos do të jetë në Grupin D përballë Juventusit, Barcelonës dhe Sportingut të Lisbonës.



