Haxhiu: Thaçi i dha kohë PAN-it për t’i shantazhuar deputetët

Haxhiu: Thaçi i dha kohë PAN-it për t’i shantazhuar deputetët

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur arsyen pse përfaqësuesit e kësaj partie nuk morën pjesë në takimin me partitë politike të thirrur nga presidenti Hashim Thaçi.

Ajo ka thënë se presidenti e ka obligim kushtetues ta thërrasë seancën konstituive dhe jo të caktojë takime konsultative.

“Arsyeja se pse nuk kemi marrë pjesë në takimin e sotëm është për faktin se në konsiderojmë që Presidenti i vendit e ka obligim kushtetues të thërrasë seancën konstituive në afat prej 30 ditëve dhe jo të thërras takime konsultative për të blerë kohë për koalicionin PAN”, ka thënë Haxhiu për Gazetën Insajderi.

Haxhiu ka shtuar se presidenti e ka shtyrë caktimin e seancës për t’i dhënë kohë koalicionit PAN, siç ka thënë ajo, për t’i shantazhuar deputetët.

“Konsiderojmë se seanca konstituive është dashur të thirret shumë më herët, mirëpo kjo nuk ka ndodhur për faktin se Thaçi po ia bënë argatin PDK dhe po ju duhet më shumë kohë për presion e shantazh mbi deputetët”, ka thënë më tej ajo.

Megjithatë, Haxhiu ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në seancën e 3 gushtit.

“Ndonëse konsiderojmë që seanca konstituive është dashur të thirret më herët, ne natyrisht se do të jemi të pranishëm”, ka thënë Albulena Haxhiu.

 

Shpërndaje në: