Haziri i LDK’së: Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj janë në një vijë me Hashim Thaçin
Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare [LDK] ka komentuar qëndrimet e ndryshme të partive politike në Kosovë për çështjen e diskutimit të kufijve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel – raporton Periskopi.
Haziri ka thënë se në grupin e QUIN’it tashmë janë shpërfaqur dallime lidhur me parimet e negociatave me Serbinë, gjë që sipas tij ka ndikuar edhe në thellimin e dallimeve mes partive politike në vend për këtë çështje.
“Në grupin e QUIN’it kemi dallime për dialogun, lidhur me parimet e negociatave, atëherë edhe te na ka reflektuar dallimi politik për dialogun. Kjo nuk është thënë në shumë debate, sepse po thirremi në parime të brendshme, por shkaktari i dytë pas kësaj janë partitë politike. I kemi pesë qëndrime brenda qeverisë. PAN’i i ka pesë qëndrime të ndryshme”, ka thënë Haziri në Debat Plus në Tv Dukagjini.
Sipas tij, me pranimin e parimit të negocimit të disa çështjeve në Bruksel, kryenegociatorët e ekipit shtetëror për dialog, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj janë në një vijë me qëndrimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
“Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj e Hashim Thaçi kanë linjë të njëjtë politike sepse kanë pranuar parimet e negociatave, ku është thënë se do të negociohet çështja e kufirit, e përcaktimit të kufijve. Pra, janë në agjendë”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, Ligji për Dialogun është i panevojshëm derisa Kosova ka Kushtetutën.
“S’ka pas nevojë për Ligj për këtë punë, kur e kemi Kushtetutën. Do të gjendet një zgjidhje eventuale nëse palët shkojnë në tavolinë. Është e vështirë të besohet se do të ketë përafrim të qëndrimeve”, ka thënë Haziri tutje, teksa ka folur për dallimet e mëdha mes Serbisë e Kosovës në çështjen e dialogut.
Sipas tij, fillimisht duhet të bëhet njohja mes dy vendeve, e më pas të diskutohet çështja e kufijve.
“Për herë të parë në Kosovë kemi parti politike që deklarohen kundër ndryshimit të kufijve, përfshirë partinë time duke mos lejuar që të vendoset në tavolinë statusi politik, pasi rrezikon të hapet. Le të bëhet njohja mes vendeve, pastaj bëjmë demarkimin e kufirit. Përçarja që ka ndodh në grupin e unitetit ka të bëjë me ripozicionimin e Kosovës. Rishikimi i Gjermanisë edhe Britanisë ka bërë që edhe skena politike në Kosovë të dallohet. Nuk jemi të përçarë, pasi të gjithë duam dialog, por me kushte”, ka thënë ai tutje./PERISKOPI



