Haziri: Osmani përfaqëson natyrshëm Kosovën, Kurti ka kufizime serioze ndërkombëtare

Haziri: Osmani përfaqëson natyrshëm Kosovën, Kurti ka kufizime serioze ndërkombëtare

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, për FrontOnline e ka vlerësuar si zhvillim tejet të rëndësishëm për Kosovën përfshirjen e saj në Bordin e Paqes të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, si dhe ftesën drejtuar Presidentes Vjosa Osmani për të marrë pjesë në këtë proces.

Haziri tha se konfirmimi i kësaj iniciative nga Presidenti Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos përbën një lajm të madh për Kosovën dhe një dëshmi të mbështetjes së vazhdueshme amerikane ndaj vendit.

 

“Është lajm i madh për Kosovën, pjesëmarrja në iniciativën për paqe që Presidenti Trump sot në Davos e konfirmoi si proces i paqes. Kosova më shumë se çdo vend tjetër është falënderuese dhe mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Haziri.

Ai theksoi se përfaqësimi i Kosovës në këtë nivel është i natyrshëm përmes Presidentes Osmani, duke rikujtuar rolin e saj në skenën ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.

“Natyra e përfaqësimit është e qartë, pasi Presidentja Osmani tash e disa vjet e përfaqëson Kosovën në takimet më të larta ndërkombëtare dhe rajonale”, deklaroi Haziri për FrontOnline, përcjell Periskopi.

Duke komentuar mungesën e ftesës për kryeministrin Albin Kurti, Haziri vlerësoi se kjo lidhet me kufizime serioze në aspektin e kontakteve ndërkombëtare, si pasojë e situatës së brendshme politike në vend.

“Kryeministri Kurti është në kufizime serioze për kontakte në nivele të tilla, për shkak të gjendjes brenda Kosovës”, tha nënkryetari i LDK-së.

Shpërndaje në: