Hetimi nga SPAK-u, Veliaj: E mbështes në çdo hap hetimin

Hetimi nga SPAK-u, Veliaj: E mbështes në çdo hap hetimin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar ndaj hetimeve që SPAK po kryen ndaj tij.

Pas bastisjes që i është bërë në banesës e tij, ai ka thënë se i mirëpret hetimet.

Në profilin e tij në “Facebook”, Veliaj ka shkruar se do ta mbështes në çdo hap këtë hetim.

“Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap. U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”, ka shkruar Veliaj.

Ai ka bërë me dije se do të jetë i hapur për çdo hetim.

“Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale”, ka vlerësuar ai.

Shpërndaje në: