Hetimit për manipulim të votave s’do t’u shpëtojnë as kandidatët për deputetë
Hetimet për manipulimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do të përjashtojnë as kandidatët për deputetë, ka bërë të ditur koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula.
Ajo ka theksuar se Prokuroria ndodhet në disa faza paralele të hetimit, duke përfshirë grumbullimin e informatave, elaborimin e provave materiale dhe intervistimin e kryesuesve dhe komisionerëve të qendrave të votimit. Pas kësaj, Pula ka thënë se pritet të nisë edhe intervistimi i kandidatëve për deputetë të cilët potencialisht mund të jenë të përfshirë në manipulimin e votave.
“Ne jemi në fazën e grumbullimit të informatave, në fazën e elaborimit të provave materiale dhe të intervistimit të kryesuesve që duhet sërish të intervistohen së bashku me komisionerët. Varësisht nga rezultatet që do të dalin nga kjo fazë e hetimeve, më pas do të merremi edhe me intervistimin apo implikimin e kandidatëve për deputetë, nëse rezulton se ndonjëri e ka sjellë situatën deri këtu”, ka deklaruar Pula në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas saj, autorizime për mbledhjen e informatave janë dhënë në të gjitha shtatë prokuroritë në vend, ndërsa mënyra e manipulimit të votave është pjesë e hetimit aktiv.
“Janë të përfshira të gjitha partitë. Bëhet fjalë për falsifikim të votave brenda subjektit të njëjtë politik”, ka theksuar Pula.
Ajo ka bërë të ditur se në Prizren disa kryesues dhe komisionerë kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, duke ofruar prova konkrete që tashmë po shërbejnë si bazë për vazhdimin e hetimeve.
“Ka pasur shtim të numrit të votave për kandidatë të caktuar edhe në komuna të tjera, por jo në përmasa si në Prizren. Megjithatë, vota është votë. Marzha e gabimeve nuk do të lejohet. Pavarësisht nëse dikush i ka vjedhur 10 apo 100 vota, ai person do të intervistohet”, ka përfunduar ajo.
Deri tash, në Prizren janë paraburgosur 28 persona lidhur me dyshimet për manipulime me vota, ndërsa në Malishevë 15.



