Hipokrizia e VV`së – Sot kujtojnë masakrën e shqiptarëve në veri ku ‘gisht’ kishte ‘heroi’ i Kurtit, Oliver Ivanoviq
Sot janë bërë 26 vite nga Nata e Tmerrit në Mitrovicën e veriut, kur ‘Rojat e urës’ patën vrarë dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq. Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MPB e Serbisë, në krye me “heroin” e Kurtit, Oliver Ivanoviq, ish-komandantin Dragan Delibashiq dhe të tjerë, shkruan Periskopi.
E këtë ditë, të cilën e shkaktoi Oliver Ivanoviq dhe të njëjtin Kurti e pati shpallur hero, sot po e kujtojnë njerëzit e Vetëvendosjes, por pa e përmendur emrin e këtij të parit.
Kryeparlamentari Dimal Basha kujtoi se në veri të Mitrovicës më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 u krye një akt i rëndë dhune ndaj qytetarëve shqiptarë të paarmatosur dhe sipas tij tani veriu i vendit nuk është më hapësira e pasigurisë dhe e sundimit të bandave që ishte dikur.
“Shtrirja e sundimit të ligjit, veprimi i institucioneve të sigurisë dhe çmontimi i strukturave kriminale kanë krijuar një realitet të ri. Rendi dhe siguria janë forcuar, ndërsa kushtet për jetë normale po përmirësohen për të gjithë qytetarët të të gjitha komuniteve. Me kthimin e sigurisë po kthehen edhe familjet në shtëpitë dhe pronat e tyre të uzurpuara dikur, duke rifituar të drejtën për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre”, ka potencuar kryeparlamentari, duke shtuar se pa drejtësi të plotë për viktimat, pa përgjegjësi për krimet, plagët e asaj kohe nuk mbyllen plotësisht.
Oliver Ivanoviq, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicën Veriore për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, përmes një komunikate të lëshuar kishte bërë me dije se gjykata ka vërtetuar se më 14 prill të vitit 1999, forcat serbe i larguan me forcë shumë familje shqiptare nga shtëpitë e tyre dhe i mblodhën jashtë në rrugë.
Një grup i paramilitarëve dhe policëve në atë datë e kishte ndarë dhe marrë “një grup të meshkujve nga ushtria derisa arritën tek pika e kontrollit të policisë/paramilitarëve”
“Oliver Ivanoviqi ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policisë të pranishëm në pikën e kontrollit. Ai mbante uniformë të kaltër dhe ishte i armatosur. Pastaj, këta meshkuj u shoqëruan përmes kësaj pike të kontrollit. Katër meshkuj u vranë derisa ky operacion u ndal për shkak të ardhjes së një personi të uniformuar, i cili dha urdhër për t’u ndalur”, thuhej në kominikatën e lëshuar nga misioni EULEX.
Oliver Ivanoviqi, sipas komunikatës, ishte në dijeni të operacionit për dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve.
“Atë ditë, ai me dashje u pajtua me këtë plan duke e ditur që si pasojë e kësaj do të ndodhnin vrasjet”, kishte njoftuar EULEX.
Për këto veprime, politikani serb nga veriu i Kosovës është dënuar me nëntë vjet burgim.
Si e kishte shpallur Kurti hero Oliver Ivanoviqin?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16 janar të vitit 2023, publikoi një videomesazh përkujtimor për politikanin e ndjerë serb, Oliver Ivanoviq, në përvjetorin e pestë të vrasjes së tij.
Nëse video nuk do të ishte publikuar nga Qeveria e Kosovës, do të dukej e pabesueshme.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij”, thoshte Kurti në videomesazhin e tij në gjuhën serbe, të titruar në shqip.
“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”, vazhdonte Kurti mesazhin e tij.
“Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”, thoshte ai.
Video e publikuar nga Qeveria e Kosovës: https://www.facebook.com/GOVRKS/videos/2060623037456891
Ky videomesazh i Kurtit kishte ngjallur reagime të mëdha në fillim të vitit 2023, pasi Oliver Ivanoviq ishte dënuar me 9 vite për krime lufte.
Por, edhe për vetë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, Ivanoviq ishte më herët një kriminel lufte.
Kurti, si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në prill të vitit 2018, në një intervistë të dhënë për TV1 të Sarajevës kishte thënë se “Oliver Ivanoviq është kriminel lufte”.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ashpër përmes një komunikate të publikuar në uebfaqen e saj, më 21 janar 2016, pas dënimit të Oliver Ivanoviqit nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.
“Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e LVV-së, e cila tashmë është fshirë nga arkivi i këtij subjekti politik./PERISKOPI



