Historia e trishtë e kamerunasit, Domosdova i ofron para dhe … ushqim

Historia e trishtë e kamerunasit, Domosdova i ofron para dhe … ushqim

Historia e trishtë e Janot që ka arritur deri në pikën sa mezi siguron mbijetesën në Tiranë, në një kohë që për para nuk bëhet fjalë, ka bërë që edhe një klub të vërë dorën në zemër për lojtarin.

Domosdova e Përrenjasit, është klubi që hap dyert për kamerunasin. Kjo skuadër i garanton mesfushorit se do të ketë të sigurt rrogën dhe ushqim shumë të mirë njëkohësisht, gjë që i ka munguar gjatë këtyre katër muajve të fundit.

Shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja, i befasuar nga lajmi i ka ofruar një vend në ekipin e tij kamerunasit, shkruan Panorama Sport.

“Lajmi dhe historia e lojtarit kamerunas të Sopotit ishte e dhimbshme. Menjëherë bëra një kërkim të vogël për lojtarin, pashë disa video dhe foto të tij në internet. Mendoj se një lojtar me fizik shumë të mirë dhe të dhëna si të Janot, nuk e meriton një situatë të tillë. Fola me trajnerin e skuadrës dhe duke qenë se ne jemi në merkato këto javë dhe repartin e mesfushës duam ta përforcojmë, mendoj se Janot mund të na bëjë punë.

E ftoj kamerunasin publikisht për një provë këto ditë në Përrenjas. Do ta kontaktoj menjëherë nesër dhe do ta pres me kënaqësi për një provë në ekipin tonë, i cili këto ditë do të zhvillojë një miqësore me skuadrën e Pogradecit.

Ndoshta rroga që mund t’i ofroj unë do të jetë modeste për lojtarin, por të paktën atë do ta ketë të garantuar dhe mbi të gjitha, ushqimi i mirë nuk do t’i mungojë asnjëherë”, përfundoi ofertën e tij për kamerunasin shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja.

Shpërndaje në: