Historia e vrasjeve të paraluftës (Video/Dokument)

Historia e vrasjeve të paraluftës (Video/Dokument)

20 vjet pas vrasjes së babait, Demir Lahi (37) nga Kolovica e Prishtinës, kërkon drejtësi për krimin e kryer. Ishte muaji korrik i vitit 1997, kur Ajdin Zeneli (Vushtrri), Haki Demcanaj (Gjakovë), ky i fundit i veshur me uniformë të policisë serbe, së bashku edhe katër persona të tjerë, kishin trokitur në dyert e shtëpisë së Jakup Lahit në Kolovicë.

Të shtyrë nga një person tjetër më të cilin Jakupi ishte në hasmëri, Ajdin Zeneli kishte përfituar 20 mijë marka gjermane për ta vrarë Jakupin. Grupi i organizuar e kishte marr Jakupin kinse për një rast të vjedhjes dhe më pas e kishin dërguar në Keqekollë për ta vrarë. Familja e të ndjerit e kishte gjetur kufomën disa ditë pas krimit.

I biri i Jakupit, Demiri, 20 vjet pas krimit ka rrëfyer për Indeksonline ngjarjen e ndodhur. Ndonëse krimi ishte kryer kur Demiri kishte 17 vjet, ai thotë se Policia e Serbisë në atë kohë kishte arrestuar dy vrasësit, të cilët ishin mbajtur në paraburgim në Serbi ndërsa  pasluftës të njëjtit janë kthyer në Kosovë. Ajdini është gjykuar dhe është dënuar në vitin 2006 me 20 vjet burgim për vrasjen e Jakup Lahit por edhe për vrasjen e Hajzer dhe Ajnije Hajdarin, vrasje kjo e ndodhur po ashtu në vitin 1997 në Mitrovicë.

Përveç këtyre vrasjeve ai është dënuar edhe për 135 vepra të tjera penale, kryesisht plaçkitje. E për vrasjen e Jakupit dënim prej 20 viteve kishte marr edhe Haki Demcanaj, por sipas Demirit nuk janë dënuar edhe bashkëpunëtorët tjerë të përfshirë në këtë rast, e që janë katër persona në arrati. Demiri ka treguar për Indeksonline se prindi i tij ka vdekur si pasojë e rrahjes brutale me lopatë nga Ajdini e Hakiu. Ai thotë se nga viti 2013 është duke kërkuar që para drejtësisë të dalin edhe bashkëpunëtorët tjerë të vrasësve, të njohur me emër e mbiemër. Ai thotë se ka qenë në Prokurori dhe të Avokati i Popullit ku e ka paraqitur rastin në detaje.

(Video )

Demiri thotë se për këtë rast është një dëshmitar por që është detyruar ta lëshoj Kosovën pas kërcënimeve që ka marrë nga njerëzit e Haki Demcanaj. Ai thotë se dëshmitari Skënder Veseli është i gatshëm të flas në detaje për këtë krim.

Flet dëshmitari Skënder Veseli

Indeksonline ka rënë në kontakt me Skënder Veselin, i cili thotë se ka ikur nga Kosova pasi që ka qenë dëshmitar në gjykimin ndaj Haki Demcanaj dhe vitin e kaluar ka marr kërcënim nga dy persona duke i kërkuar 50 mijë euro në emër të Hakiut.

“Që 10 muaj kam ikur nga Prishtina në një shtet tjetër. Arsyeja pse kam ikur është se në vitin 2006 kam qenë dëshmitar kundër Haki Demcanaj, i cili e ka vrarë komshiun tim, Jakup Lahin dhe dy persona tjerë të Mitrovicës. Unë kam qenë dëshmitarë kundër Hakisë për rastin e Jakup Lahit sepse e kam zbuluar se ai e ka kryer vrasjen dhe në vitin 2006 është dënuar Hakia me 20 vite burg. Kurse shoku i tij, Ajdin Zeneli edhe ai është dënuar me 20 vjet, por pesë persona të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në vrasje dhe në plaçkitje nuk janë dënuar asnjëherë deri më sot”, ka deklaruar përmes një video/mesazhi, dëshmitari Skënder Veseli.

Ai thotë se para 10 muajve i kanë shkuar dy persona dhe e kanë kërcënuar në emër të Hakiut, ku i kanë kërkuar t’i sigurojë 50 mijë euro për një javë, në të kundërtën do ta vrasin sikurse i kanë vrarë edhe të tjerët.

Skënderi thotë se të dyshuarit e kishin porositur që këtë rast të mos e lajmëroj në polici sepse më pas do ta pësoi keq.

 (Video e intervistës me Skënder Veselin)

“Kështu jam detyruar të largohem nga Kosova që 10 muaj dhe nuk mendoj të kthehem derisa të më ofrohet ndonjë siguri nga Policia ose nga dikush që unë të kam siguri të kthehem. Djali i Jakupit (Demiri) dhe djali i Hajzerit (Besimi), janë ankuar në prokurori, polici e çdo kund tjetër, mirëpo deri më sot asnjëri nga ata personat tjerë që kanë marrë pjesë në vrasje dhe plaçkitje nuk janë dënuar përveçse këta dy, Ajdini dhe Hakiu”, ka thënë dëshmitari.

Rrëfehet djali i prindërve të ekzekutuar në shtëpinë e tyre

Me 11 maj të vitit 1997, në një shtëpi në Mitrovicë, Hakiu dhe Ajdini me bashkëpunëtorë të tjerë kanë vrarë me sëpatë Hajzer dhe Ajnije Hajdarin. Ata kishin hyrë në shtëpinë tashmë të të vrarëve si mysafir pasi që kishin kuptuar se të njëjtit posedojnë të holla pasi e kishin shitur shtëpinë.

Indeksonline ka rënë në kontakt me djalin e qiftit tashmë të vrarë, Besim Hajdarin, i cili njëjtë sikurse Demiri kërkon që bashkëpunëtorët e Hakiut dhe Ajdinit të vihen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Ai ka thënë se në shtëpinë e tyre përveç dy të dënuarve, kanë qenë edhe tre persona të tjerë.

“Në vitin 2013 kam qenë në Kosovë dhe kam dhënë deklaratë në prokurori për këtë rast. Ndonëse i kam dhënë emrat e bashkëpunëtorëve të Ajdinit dhe Hakiut por deri më tani nuk kemi asnjë informacion nëse të njëjtit janë kontaktuar nga policia”, ka thënë përmes telefonit Besim Hajdari i cili tashmë jeton në një shtet të largët.

Ai thotë se ka paguar deri më tani 2000 euro nëpër avokat për të kërkuar drejtësi për vrasjen e prindërve të tij, mirëpo pa rezultat.

Demiri, Besimi por edhe dëshmitari Skënderi, janë duke pritur Prokurorinë që të reflektoi dhe të sjell para drejtësisë të gjithë bashkëpunëtorët e Hakiut dhe Ajdinit të cilët kanë kryer shumë krime në prag të luftës në Kosovë. Ata thonë se nuk do të ndalen derisa t’i shohin prapa grilave të gjithë grupin kriminal./Indeksonline/

Shpërndaje në: