Hoti kritikon Osmanin: Presidentja po e shndërron institucionin në zyrë politike, vizita e saj në Mitrovicë është shkelje e rolit kushtetues
Shkuarja e presidentes Vjosa Osmani në Mitrovicë, për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë për marrjen e mandatit si kryetar komune, është shkelje e hapur e rolit kushtetues.
Kështu thotë ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.
Vizita që Osmani ia bëri sot Faton Pecit, sipas Hotit, nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje.
“Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, shkruan Hoti.
Reagimi i Hotit vjen pasi sot presidentja Osmani shkoj në Mitrovicën e Jugut për ta uruar Faton Pecin për marrjen e mandatit si i pari i kësaj komune.



