Hoti: Për vite u fol për “tradhti”, Kurti ia paska transferuar tokën Manastirit të Deçanit për hatër të Rashiqit
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-kryeministri Avdullah Hoti reagoi ndaj deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, që ai tha se kryeministri Albin Kurti e kishte bërë për shkak të tij.
Në një reagim në Facebook, Hoti tha se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” Kurtin nga, siç e quajti ai, retorika mashtruese që ka përdorur për këtë çështje.
“Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër”, shkroi Hoti.
“Kaq “serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, shtoi ai.



