Hoxha telefon Konjufcën: Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen për Kosovën
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun kosovar, Glauk Konjufca, përmes së cilës ka konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën
Këtë, Hoxha e bëri të ditur me anë të një postim në llogarinë e tij në X.
“Rikonfirmuam marrëdhënien tonë vëllazërore, lidhjen e veçantë e të patjetërsueshme mes dy vendeve tona, dhe ritheksova se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme. Ndamë angazhim për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”.
Në këtë bisedë, ai ka vlerësuar zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Vlerësova zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Europian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE, me bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat”.
“U dakorduam mbi nevojën për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe për avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia”.
“E sigurova z. Konjufca për mbështetjen tonë të palëkundur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si për sa i përket zgjerimit të gjeografisë së njohjes, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ashtu edhe për përparimin e proceseve të saj integruese europiane dhe euroatlantike”.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë. Në këtë frymë, rikonfirmova gatishmërinë time dhe të Ministrisë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në funksion të avancimit të objektivave të përbashkëta”.
“Shqipëria dhe Kosova do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah, me një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të së ardhmes europiane dhe euroatlantike të rajonit”, tha Hoxha



