Hoxhaj: Shoh tendencë te Kurti për ta përmbysur rendin kushtetues dhe juridik

Hoxhaj: Shoh tendencë te Kurti për ta përmbysur rendin kushtetues dhe juridik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se vendi po përballet me krizën më serioze shtetërore që nga shpallja e pavarësisë. Në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, Hoxhaj tha se shtetësia e Kosovës është vendosur në pikëpyetje dhe se përgjegjësinë kryesore e mban kryeministri Albin Kurti.

“Ajo çka po ndodh gjatë vitit 2025 është një kolaps total. Një krizë më serioze shtetërore se kjo nuk ka pasur Kosova në historinë e saj. Jemi në një situatë ku shtetësia jonë, e kërcënuar nga brenda, është vendosur në pikëpyetje”, deklaroi Hoxhaj.

Ai theksoi se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka frikë nga zgjedhjet, por paralajmëroi se kriza politike do të thellohet edhe më shumë pas tyre, nëse nuk ndryshon qasja aktuale e qeverisë.

“PDK nuk ka frikë dhe as unë si deputet. Por mendoj se kolapsi shtetëror do të thellohet edhe pas zgjedhjeve. Nëse Kurti është sjellë gjatë kësaj kohe si një politikan i paaft për dialog, i paaft për një marrëveshje politike, i paaft për të bërë qeverinë, nuk e përjashtoj mundësinë që me sjelljen e tij ta thellojë krizën edhe më tej”, u shpreh ai.

Sipas Hoxhajt, ekziston një tendencë e rrezikshme nga ana e kryeministrit për ta minuar rendin kushtetues dhe juridik të vendit.

“Unë shoh një tendencë nga ana e tij për ta përmbysur rendin kushtetues dhe juridik, dhe ky kolaps mund t’i shërbejë idesë së tij politike”, tha deputeti i PDK-së.

Shpërndaje në: