I akuzuari Hysni Menxhiqi s’e pranon fajësinë për kanosjen ndaj gazetarit Kajtazi
Në Gjykatën e Prishtinës, sot më 12.09.2025, në Departamentin e Përgjithshëm është mbajtuar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Hysni Menxhiqi për kanosjen e gazetarit, Vehbi Kajtazi.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i shtetit, Edis Kuraja, i akuzuari u deklarua rreth fajësisë.
I pandehuri tha se nuk ndihet fajtor për veprën penale për të cilën po e akuzon Prokuroria.
“Nuk ndjehem fajtor për veprën penale” – tha Menxhiqi.
Gjyqtari e njoftoi të akuzuarin edhe mbrojtësin e tij se në afat prej 15 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës apo kundërshtim të provave.
Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës me gjyqtarin e vetëm gjykues, Eroll Gashi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, me datë 01.09.2025, ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Menxhiqi për veprën penale “Kanosja”.
Kallxo.com ka arritur ta siguroj aktakuzën ndaj të pandehurit.
Sipas dosjes së prokurorisë, i akuzuari Hysni Menxhiqi, me datë 12.08.2025 , rreth orës 21:38,përmes rrjetit social Facebook, e kanosë gazetarin Vehbi Kajtazi, duke e publikuar tekstin me përmbajtje si në vijim: “ Vehbi Kajtazi apo vehbi taraku apo vehbi komandati un persanli jam ilodhur me ty. Vehbi tkanxan ne tuli far pozicioni ne prishtin tkam lirue patue qkye ftyra apatu qkye barku apo pate hi thesi ne krye Trathtar shërbyes I serrbis Teneqe pasha tok e qill ma nuk te lshoj pa eprovue se si duhet me vdek me vite te lutem po ti lutjen se njef ti je m** ti je f******* por semari familja jote dote bjen dëshmor tani per ty nuk me bahet von qdo kufi e ke kalue per qashtjen kombtare vdekja asht Mshir po historia kurr nuk ka shkrue se a ka njiri qe ban ksi masakre ne ty edhe ne familjepoplli edin ti kurr nuk ju ndale serrbis me informacione si ne luft si ne lir”.
Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit Vehbi Kajtazi i kishte shkaktuar ndjenjën e frikës dhe pasigursië për të edhe familjen e tij.
Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Hysni Menxhiqi nga Prokuroria e Prishtinës po akuzohet se e ka kry veprën penale “Kanosja”.



