I burgosuri që tentoi të arratiset mbrëmë s’kishte pranuar avokaten: E kam gruan xheloze
I burgosuri Bedri Krasniqi mbrëmë kishte tentuar të ikte nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz. Por, Policia ishte njoftuar më herët me planin për arratisje, andaj reagoi duke shtuar numrin e forcave policore në këtë burg. Krasniqi, më 2008 kishte arritur të arratisej nga Burgu i Dubravës. Detaje interesante nga seancat gjyqësore ndaj tij.
Forcat të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës mbrëmë kishin rrethuar Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Në media u raportua se arsyeja e rrethimit të këtij burgu ishte dyshimi për ikjen e një të burgosuri nga aty.
Indeksonline mbrëmë shkroi se personi që kishte tentuar të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë në fshatin Dyz ishte Bedri Krasniqi.

Krasniqi është i dënuar për vrasjen e policëve, Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj dhe kindapimin e biznesmenit Azem Morina. Ai është i dënuar me 27 vjet heqje lirie.
Vite më parë nëpër media ishte raportuar se si Krasniqi kishte ndërruar në pamje e qëndrime, teksa po qëndronte në burg.
Ai, nuk i kishte shpëtuar radikalizmit brenda burgut.
Vrasësi i dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, Bedri Krasniqi raportohet të jetë radikalizuar brenda burgut të sigurisë së lartë në Gërdovc, ku po vuan dënimin prej 27 vitesh heqje lirie për krimin e dyfishtë dhe njëkohësisht 17 tjera për kidnapim të biznesmenit Azem Morina.
Në media ishte publikuar edhe një fotografi e Krasniqit, në të cilën shihej ndryshimi drastik i tij.
Papritur, ai kishte vendosur t’i përkushtohej fesë.
Por, Krasniqi kishte ndërruar edhe qëndrim gjatë seancave gjyqësore që po zhvilloheshin ndaj tij.
Kishte mbetur pa mbrojtje ligjore, pasi kishte refuzuar një avokat femër.
E arsyetimi i tij kishte qenë i çuditshëm.
“Jo veç që s’du avokat, po edhe grunë e kam xheloze, s’muj me pranu avokate po edhe s’mundet me më ndihmu”, pati thënë Krasniqi në njërën nga seancat gjyqësore që po zhvilloheshin ndaj tij.
Mbrëmë nuk ishte hera e parë që Bedri Krasniqi kishte tentuar të ikte nga burgu, raporton Periskopi.
Më 30 nëntor të vitit 2008, ai kishte arritur të ikte nga Burgu i Dubravës, ku po e vuante dënimin për vrasjen e dy policëve.
Pas arratisjes së tij, Ministria e Drejtësisë atëkohë pati suspenduar 18 zyrtarë të atij burgu.
Pas arratisjes së tij nga burgu i Dubravës në fund të vitit 2008, Krasniqi kishte kryer edhe disa vepra të tjera penale, përfshirë edhe rrëmbimin e pronarit të firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem Morina, më 21 shtator të vitit 2010.
Rrëmbimi i tij ishte bërë në dalje të fshatit dhe në këmbim të kokës së tij, Krasniqi me grupin e tij kishin kërkuar 3 milionë euro.
Bedri Krasniqi ishte arrestuar sërish në dhjetor të 2010, pas dy viteve kërkim nga Policia.
Ai ishte arrestuar në shtëpinë e tij në fshatin Turjakë të Komunës së Pejës.
Krasniqi ishte kapur disa metra larg shtëpisë së tij, derisa po tentonte të ikte sërish.
Që nga arratisja e tij nga burgu, në nëntor të vitit 2008, Bedri Krasniqi, i lindur më 10 shtator 1979, nga fshati Turjakë i Komunës së Pejës, dyshohet se ka qenë i përfshirë në së paku edhe dy sulme të tjera të armatosura në Deçan, njoftonte Koha atëkohë./Periskopi



