I mituri në Kaçanik përfundon në pranga, i gjendet kanabis në oborr – dyshohet edhe për dhunë në familje

I mituri në Kaçanik përfundon në pranga, i gjendet kanabis në oborr – dyshohet edhe për dhunë në familje

Një rast i rëndë është zbuluar në Kaçanik, ku një i mitur është arrestuar pas dyshimeve për kultivim të bimëve narkotike, ndërkohë që ndaj tij po zhvillohen hetime edhe për një rast dhune në familje.

Siç mëson Sinjali, rasti është evidentuar më 6 prill 2026 në rrugën “Selim Shehu”, ku fillimisht policia ishte angazhuar për një incident të raportuar rreth orës 02:00 të mëngjesit, ku i dyshuar ishte L. Sh rreth 17 vjeç, por i njëjti nuk ishte gjetur në shtëpi në momentin e ndërhyrjes së policisë.

Gjatë hetimeve të mëtejme, policia ka siguruar informacione se i mituri dyshohet të jetë përdorues i substancave narkotike dhe se në oborrin e shtëpisë së tij mund të ketë të mbjella bimë të dyshuara si kanabis.

Në asistencë të njësisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotikë nga Ferizaj, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku në pjesën e pasme të oborrit është gjetur një vazo me një bimë të dyshuar si kanabis sativa, me gjatësi rreth 7 centimetra.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari ka pranuar para hetuesve se bëhet fjalë për bimë kanabisi.

 

Pas mbledhjes së provave, i mituri është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Kaçanik, ku fillimisht është intervistuar në lidhje me rastin e dhunës në familje, e më pas edhe për veprën penale “Kultivimi i bimës së kanabisit”.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori për të mitur, me vendimin e të cilit i dyshuari është ndaluar për 24 orë për rastin e dhunës në familje, ndërsa hetimet për kultivimin e kanabisit janë në vazhdim.

Në cilësi të provës materiale është konfiskuar një bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa.

Shpërndaje në: