Ia vlen ta provoni: Ekspertët thonë se dushi në errësirë mund ta lehtësojë gjumin
Ai synon uljen e ekspozimit ndaj dritës, rregullimin e temperaturës trupore dhe nxitjen e relaksimit
Nëse e keni të vështirë të bini në gjumë, ndoshta keni hasur në rrjete sociale një trend të pazakontë që lidhet me gjumin. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “dush në errësirë”, një rutinë që përfshin larjen me drita të zbehta ose të fikura, zakonisht si pjesë e ritualit të mbrëmjes para gjumit.
Përkrahësit e këtij trendi thonë se dushi në errësirë qetëson mendjen, ul stresin dhe madje përmirëson cilësinë e gjumit. Ndryshe nga dushi i mëngjesit, i cili na ndihmon të zgjohemi dhe të marrim energji, ky ritual synon të reduktojë ekspozimin ndaj dritës, të rregullojë temperaturën trupore dhe të nxisë relaksimin duke e përgatitur trupin për gjumë.
Por a mundet vërtet dushi në errësirë t’ju ndihmojë të flini më shpejt dhe më thellë, apo është thjesht një ritual i këndshëm pas një dite të lodhshme? Ja çfarë thonë ekspertët.
A mund ta përmirësojë dushi në errësirë cilësinë e gjumit?
Chelsie Rohrscheib, neuroshkencëtare dhe eksperte e gjumit, thotë se ky ritual mund ta përgatisë trurin dhe trupin për gjumë, duke shkurtuar kohën e nevojshme për të rënë në gjumë dhe duke përmirësuar cilësinë e tij.
– Që truri të nisë procesin e gjumit, temperatura e trupit duhet të ulet pak, zakonisht rreth një gradë. Dushi i ngrohtë fillimisht e rrit temperaturën, por pas daljes nga dushi ajo bie shpejt. Ky proces imiton mekanizmin natyror që ndodh para gjumit dhe i dërgon trurit sinjal për të kaluar në gjendjen e fjetjes, shpjegon ajo.
Dushi në errësirë gjithashtu kufizon ekspozimin ndaj dritës, duke ndihmuar në ruajtjen e ritmit cirkadian – “orës biologjike” që rregullon ciklin gjumë-zgjim.
– Melatonina është hormoni që rregullon këtë ritëm dhe sinjalizon kur është koha për të fjetur. Drita e fortë e pengon prodhimin e saj, ndërsa drita e zbehtë e nxit. Prandaj dushi në errësirë mund të stimulojë lirimin e melatoninës, thekson Rohrscheib.
Studimet e gjumit tregojnë se ulja e ekspozimit ndaj dritës blu në mbrëmje mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e gjumit, transmeton Telegrafi.
Përfitimet për shëndetin mendor
Ky ritual nuk ndikon vetëm te gjumi, por edhe te mirëqenia psikologjike.
– Dushi në errësirë ndihmon sistemin nervor të kalojë në gjendjen parasimpatike, e cila lidhet me relaksimin dhe qetësinë. Gjithashtu ul nivelet e kortizolit – hormonit të stresit, thotë Rohrscheib.
Ekspertja e gjumit Patricia Read shton se ky ritual mund të shndërrohet në një formë mindfulness-i.
– Në errësirë, shqisat e tjera bëhen më të ndjeshme. Përqendrohemi te ndjesia e ujit të ngrohtë, aromat dhe tingulli i rrjedhës së ujit, duke krijuar një efekt të ngjashëm me meditimin, shpjegon ajo.
Nuk është zgjidhje magjike për të gjithë
Ekspertët theksojnë se ky ritual nuk është “kurë” universale për pagjumësinë.
– Personat me çrregullime kronike të gjumit mund të mos përjetojnë përmirësim pa trajtim profesional, paralajmëron Rohrscheib.
Gjithashtu, rëndësi ka edhe mënyra se si i qasemi këtij rituali.
– Nëse shihet si detyrim apo zgjidhje magjike, nuk do të japë rezultat. Duhet të jetë një proces relaksues dhe jo një presion shtesë, thotë Read.
Çfarë tjetër ndihmon për gjumë më të mirë
Ekspertët rekomandojnë edhe:
- orar të rregullt gjumi
- shmangie të kafeinës para gjumit
- evitim të dritës së fortë dhe ekraneve në mbrëmje
- ambient të errët, të freskët dhe të qetë në dhomën e gjumitNëse nuk mund të flini brenda 20 minutash, këshillohet të ngriheni dhe të bëni një aktivitet qetësues derisa të ndjeni përgjumje.
Një ritual i vogël me efekt të madh
Edhe pse nuk është zgjidhje universale, dushi në errësirë mund të jetë një shtesë e vlefshme për rutinën e mbrëmjes, sidomos për ata që duan të reduktojnë stimulimin dhe t’i japin trupit një kalim më të qetë drejt gjumit./Periskopi



