Ibrahimi: Për vitin 2025 komunave iu janë marrë mbi 73.5 milionë euro nga vendimet gjyqësore
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë se vetëm gjatë vitit 2025 iu janë marrë mjete të konsiderueshme financiare si rezultat i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, kryesisht për zbatimin e kontratës kolektive, raporton Periskopi.
“Shuma totale e mjeteve të marra vetëm për vitin 2025 tejkalon 73.5 milionë euro, të ndara sipas kategorive buxhetore si më poshtë:
- Investime kapitale: mbi 40 milion €
- Mallra dhe shërbime: mbi 24 milion €
- Shpenzime komunale: mbi 3 milion €
- Subvencione dhe transfere: mbi 5.5 milion €
- Kategoritë tjera buxhetore: pjesë nga shuma totale Nga kjo shumë, komunat me automatizëm kanë mbetur me minus mbi 40 milion €, çka ka sjellë mosrealizimin e shumë projekteve kapitale që do të përmirësonin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe mosrealizimin e objektivave të kryetarëve të komunave”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi tutje tha se niveli qendror nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për këtëm problem, që sipas tij e kanë lënë në supet e komunave.
“Është e rëndësishme të theksohet se shumica e këtyre mjeteve financiare janë marrë për zbatimin e kontratës kolektive, një barrë e imponuar komunave. Megjithatë, niveli qendror nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të gjetur një zgjidhje institucionale, duke e lënë këtë problem mbi supet e komunave.
Në total, nga viti 2022 deri më sot, komunave të Kosovës iu janë marrë mbi 236.5 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore. Ky zhvillim përbën një barrë të rëndë për financat lokale dhe dëmton drejtpërdrejt qytetarët, të cilëve u pamundësohen investime të reja, shërbime më cilësore dhe mbështetje përmes subvencioneve e transfereve”, tha ai.



