Igli Tare nderohet me çmim special nga Presidenti i Shqipërisë
Në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i dorëzoi Igli Tares titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, një nga dekoratat më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Ky çmim u nda në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Urdhrit të Skënderbeut, simbol i mirënjohjes për personalitetet që kanë kontribuar në mënyrë të veçantë në promovimin e vlerave kombëtare.
“Është ndoshta nderi më i madh i jetës sime. Kam punuar gjithë karrierën time, sidomos pas largimit nga Shqipëria, për të nderuar kombin tim. Jam ende duke u ndjerë i ri dhe ende kam kaq shumë për të dhënë,” deklaroi Tare.
Nderimi ndaj tij vjen si rezultat i kontributit shumëvjeçar në futbollin europian, si lojtar dhe drejtues sportiv, si dhe për promovimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ky çmim e vendos Taren në radhët e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në kulturën dhe sportin shqiptar./Periskopi/



