Ikona Parashqevi Simaku – qytetare nderi e Kavajës

Ikona Parashqevi Simaku – qytetare nderi e Kavajës

Një surprizë e vërtetë ka ardhur orët e fundit nga Elton Ilirjani! Biznesmeni i njohur ka publikuar një video ekskluzive krah ikonës së pakrahasueshme të muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, duke na dhuruar emocione të forta nostalgjie.

Artistja legjendare është nderuar me titullin e lartë “Qytetare Nderi” gjatë festës tradicionale “Sofra e Kavajës”. E qeshur dhe plot sharm, Parashqevia shfrytëzoi këtë moment për të ndarë disa fjalë zemre për vendlindjen dhe për kryebashkiakun Fisnik Qosja, i cili bëri të mundur këtë vlerësim.

“Kavajën nuk e nxjerr dot nga Parashqevia”

Në fjalën e saj, këngëtarja zbuloi një prapaskenë prekëse lidhur me gjendjen e saj shëndetësore dhe periudhën e rikuperimit. “Ka kaluar gati një vit që kur dëgjova Fisnikun… mori Eltonin dhe i tha: ‘Çfarë të bëj për Parashqevinë, të lutem më thuaj!’ Më ka ngelur në shpirt, sepse gjithë këtë kohë që jam rikuperuar nga ngjarjet që ndodhën, dua ta falënderoj për këtë nder të madh,” – u shpreh ajo, raporton Prive.al, transmeton Periskopi.

Me zërin që i dridhej nga emocioni, Simaku dhuroi edhe deklaratën që po bën xhiron e rrjetit:

“Mund ta nxjerrësh Parashqevinë nga Kavaja, por nuk e nxjerr dot Kavajën nga Parashqevia. Jam me ju me gjithë zemër e me gjithë shpirt.”

Homazh për rrënjët dhe mësuesit

Artistja nuk harroi të përmendë zanafillën e saj. Ajo kujtoi me nostalgji fëmijërinë, mësimet nga gjyshërit dhe takimin e parë me maestron e madh Rexhep Asimi apo mësuesen Terezina Levi. Për Parashqevinë, tradita muzikore kavajase mbetet fisnike dhe me rrënjë të thella, një thesar që ajo e ka marrë me vete në çdo skenë botërore.

“Edhe pse kam kënduar kudo, thelbi im mbetet shpirti dhe tradita e Kavajës. Guri i rëndë në vend të vet, themi ne. I qofsha falë djepit që më ka lindur e rritur kavajëse,” – përfundoi ikona e muzikës.

Kujtojmë se hera e fundit kur Parashqevi Simaku performoi një koncert recital në qytetin e saj të lindjes ishte në korrikun e vitit 1999, çka e bën këtë rikthim virtual edhe më domethënës për publikun shqiptar./Periskopi/

Shpërndaje në: