India e konfirmon vrasjen e 39 punëtorëve nga Shteti Islamik

India e konfirmon vrasjen e 39 punëtorëve nga Shteti Islamik

Burrat që ishin duke ndërtuar një spital në Mosul ishin kidnapuar në vitin 2014. Deputetët opozitarë në New Delhi kanë kritikuar ashpër qeverinë pasi u kishte thënë familjarëve të tyre se ata janë gjallë.

Autoritetet në Irak të marten kanë identifikuar trupat e 39 indianëve të cilët ishin kidnapuar nga “Shteti Islamik” (IS) në Mosul në vitin 2014. Hetuesit thanë se 70% e ADN-së përputhej me trupat e 39 indianëve.

Punëtorët e ndërtimit kishin zbuluar një varr masiv afër një fshati në Badush, në veri-perëndim të Mosulit.

“Ata ishin vrarë para syve të mi,” tha Hajrit Masih, njëri prej të mbijetuarve të masakrës. Masih ishte qëlluar në kofshë por kishte arritur të arratisej nga terroristët.

Të afërmit thanë se kanë marrë një telefonatë duke u njoftuar për fatin e të afërmëve të tyre. Rreth 10, 000 shtetas të Indisë jetojnë dhe punojnë në Irak, raporton “DW”, transmeton Periskopi.

Familjet për një kohë të gjatë kishin shpresuar se disa nga të dashurit e tyre ende mund të jenë gjallë nën kujdestarinë e IS-it. Qeveria indiane kishte pohuar gjithashtu se shumica e njerëzve kishin mbijetuar.

“Me një dhimbje të rëndë, unë i kam informuar të afërmit e viktimave se familjarët e tyre janë vrarë,” tha Ministri i Punëve të Jashtme, pasi iu drejtua parlamentit të Indisë./Periskopi/

Shpërndaje në: