Shteti mbyll 26 motele e vila anekënd Kosovës (FOTO)

Shteti mbyll 26 motele e vila anekënd Kosovës (FOTO)

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka organizuar dhe realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, me qëllim të sigurimit të respektimit të standardeve ligjore, mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg, si dhe verifikimin e përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, ku fokusi kryesor ka qenë mbikëqyrja më e gjerë e subjekteve ekonomike që ushtrojnë veprimtaritë e tyre, e që lidhen me fushën e hotelerisë dhe turizmit, respektivisht objekt i inspektimeve të përbashkëta kanë qenë kryesisht subjektet ekonomike, që ushtrojnë veprimtari të vilave dhe moteleve.

Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore kanë bërë mbyllje të përkohshme të 26 subjekteve ekonomike në tërë territorin e Kosovës, “për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”.

Ndërkohë, ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sipas njoftimit, inspektorët e tregut kanë shqiptuar 27 masa ndëshkuese.

Shpërndaje në: