Intervistohet në polici kryetarja e Ranillugut, dyshohet se kërcënoi votuesit për “ndërprerjen e benifiteve nga Serbia”
Është intervistuar nga Policia kryetarja e Ranillugut, Tanja Antic,e cila dyshohet se ka kërcënuar votuesit, shkruan Periskopi.
Kështu ka konfirmuar për Periskopin nga Policia, Valon Osmani i cili tha rasti po hetohet.
“Me datën 28.12.2025, përmes rrugëve operative kemi pranuar informacion se anëtarja e kryesisë së forumit të gruas nga partia Lista Serbe dhe aktualisht Kryetare e Komunës së Ranillugut, dyshohet se përmes anëtarëve të Komisionit Komunal zgjedhor të kësaj partie në komunën e Ranillugut ka ushtruar ndikim tek votuesit e pa përcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetar i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve. E dyshuara është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale dhe intervistuar në prezencën e avokatit me qëllimi të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave. Pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar, ndërsa rasti “Cenim i fshehtësisë së votimit” do vazhdoj të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore”.



