Ironia e Berishës: As fisi Hutu i Afrikës s’do ta bënte kryetar Albin Kurtin
Zafir Berisha, themelues i iniciativës Bashkimi Demokratik për Prizren, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se fajtori kryesor për gjendjen aktuale në Kosovë është Albin Kurti. Sipas tij, Kurti u ka shpërlarë trurin njerëzve që e kanë votuar.
“Fajtori kryesor për këtë gjendje në Kosovë është Albin Kurti, por nuk është i vetëm. Janë edhe ata njerëz që u është shpërla truri”, ka thënë Berisha.
Duke folur për Kurtin dhe qeverisjen e tij, Berisha ka ironizuar me disa fise primitive që jetojnë në Afrikë.
“As fisi Hutu në Afrikë nuk do ta bënte kryetar të fisit një person që s’ka adresë, që jeton me qira dhe që familja nuk i jeton brenda fisit. Ky lëshim i madh i shqiptarëve në Kosovë do t’i kushtojë shumë vendit, për një kohë të gjatë. Lëshimet që janë bërë dhe mbështetja e verbër ndaj Albin Kurtit do të kenë pasoja, sepse ai nuk është vetëm, është me njerëzit që e kanë mbështetur”, ka thënë Berisha.
Ai ka kërkuar që t’i gjendet një rast i ngjashëm në botë ku një kryeministër nuk e ka familjen në vendin që e qeverisë.
“Le të mendojë dikush në cilin vend të botës zgjedhin kryeministër një njeri që familja nuk i jeton në vendin që ai e qeverisë. Për cilën mirëqenie flet, për cilën jetë normale flet, kur ai nuk e ka familjen në Kosovë? Kah e di ai çfarë është jeta e zakonshme këtu? Janë bërë lëshime të mëdha dhe veprimet e tij po na kushtojnë”, ka thënë Berisha./Periskopi/



