Ish futbollisti kosovar dënohet me 8 vite burg për trafik droge në Finlandë
Gjykata e Helsinkit ka dënuar ish-futbollistin e njohur të Veikkausliigas, Albert Kuqi, me tetë vite burg për tre vepra penale të rënda që lidhen me trafik droge.
Sipas aktgjykimit, Kuqi së bashku me dy persona të tjerë kishte sjellë rreth 14 kilogramë kokainë në Finlandë gjatë viteve 2024–2025, nga të cilat 9.5 kilogramë përfunduan në treg për shpërndarje.
Kuqi u angazhua në sigurimin e apartamenteve për grupin kriminal në zona të ndryshme të Helsinkit, si dhe në gjetjen e klientëve e mbledhjen e parave nga tregtia e drogës. Megjithëse u cilësua si një nga autorët kryesorë, gjykata theksoi se roli i tij ishte më i vogël në krahasim me dy të tjerët, raporton “iltalehti.fi”.
Lulzim Gerxhaliu (34) dhe Ergi Tusha (34), të cilët vepronin pjesërisht nga jashtë Finlandës dhe organizonin trafikun, u dënuan me 10 vite e 2 muaj burg secili.
Prokuroria kërkoi dënime më të rënda duke argumentuar se bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal, por gjykata vlerësoi se niveli i organizimit ishte i ulët.
Për shkak të bashkëpunimit gjatë hetimit paraprak, tre të dënuarve iu ulën dënimet. Pa këto ulje, Kuqi do të përballej me mbi 10 vite burg, ndërsa Gerxhaliu e Tusha me mbi 11 vite.



