Ish-ylli i Real Madrid dënohet për sulm seksual ndaj një gruaje
Gjykata Mbretërore e Sheffieldit e ka dënuar ish-futbollistin e ekipit të të rinjve të Real Madridit, Niall Mason, me dy vjet burg me kusht për shkak të një sulmi seksual që e kishte bërë më 18 shkurt të vitit 2018.
22-vjeçari e kishte sulmuar gruan gjatë një feste private vitin e kaluar. Ai ia kishte tërhequr flokët dhe e kishte futur dorën e tij nën bluzën e gruas gjatë kësaj feste në Doncaster të Anglisë, transmeton Gazeta Express.
Gjykatësi Jeremy Richardson, e cili e dha dënimin për futbollistin e Doncasterit, klub ky në League One, nivelin e tretë të futbollit në Angli, i tha Masonit se ai i ka zhgënjyer edhe futbollistët e tjerë.
“Ti nuk e ke zhgënjyer vetëm veten me këtë sjellje të pahijshme, por i ke zhgënjyer të gjitha bashkëlojtarët e tu. Njerëzit i konsiderojnë futbollistët si shembull, për të mirë ose për të keq, e veçanërisht të rinjtë, dhe ata do ta shohin këtë lajm në gazeta”, ka thënë gjykatësi Richardson.

“Çfarë shembulli të tmerrshëm ke dhënë. Për fat të keq, ti e ke turpëruar profesionin e futbollistëve.
Prokurori Gordon Stables bëri të ditur se sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur viktima kishte qenë duke biseduar me një shoqe të saj.
“I akuzuara [Mason] ia tërhoqi flokët gruas dhe e tërhoqi atë drejt vetes. Ajo tentoi të largohej, por ai vazhdonte duke e tërhequr. Ajo i tha atij: ‘Kam të dashur’”, ka treguar Stables.
Më vonë, Stables sqaroi sesi Mason e kishte futur dorën e tij, pa leje, nën bluzën e gruas, ia kishte ledhatuar lëkurën dhe pastaj e kishte urdhëruar viktimën ta mbulonte pjesën e zbuluar të lëkurës.
Gruaja, e cila nuk mund të emërohet për arsye ligjore, e kishte injoruar Masonin. Stables tregon se Mason e kishte futur përsëri dorën nën bluzën e saj, këtë herë duke i prekur edhe pjesët intime të saj.
“Gruaja kishte mbetur plotësisht e tronditur. Ajo i tregoi shoqes së saj dhe ia goditi dorën lojtarit. Pastaj, i tregoi edhe njerëzve përgjegjës në atë festë për këtë sulm seksual”, ka bërë të ditur Stables.
Stafi i festës e kishin detyruar Masonin ta braktisë festën dhe më vonë viktima e kishte raportuar këtë incident edhe në polici. Kur ishte pyetur nga policia, Masoni e kishte pranuar se kishte pirë alkool gjatë festës, mirëpo e kishte mohuar sulmin seksual.
Pas festës, një test i ADN-së e vërtetoi se Mason e kishte bërë këtë sulm seksual, për të cilin viktima thotë se ia ka ndikuar të gjithë jetën.
“Shpeshherë kam menduar për mënyrën se si do të reagoja në një situatë të tilla dhe gjithmonë mendoja se do të bërtisja, reagoja dhe ta konfrontoja atë person. Realiteti është që mbeta plotësisht e ngrirë. I thashë jo disa herë. Mezi kam vënë gjumë në sy gjatë që nga ai incident”, ka thënë viktima.
Masoni e pranoi fajësinë qysh në fillim të seancës gjyqësore dhe avokati i tij tentoi t’ia ulë dënimin duke thënë se futbollisti tani ka ndryshuar dhe nuk bën gjëra të tilla. Ai u dënua me gjashtë muaj burg dhe dy vjet burg me kusht, si dhe do t’i paguajë shpenzimet e gjykatës në vlerë prej 3 mijë eurosh.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/sport/ish-lojtari-i-real-madridit-denohet-per-sulm-seksual-ndaj-nje-gruaje-621751/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright



