Ishin edhe në Kosovë – çfarë është Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë Amerikane që Trump po i dërgon në Gjirin Persik

Ishin edhe në Kosovë – çfarë është Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë Amerikane që Trump po i dërgon në Gjirin Persik

Dërgimi i më shumë se 1500 ushtarëve të Divizionit të 82-të Ajror të Ushtrisë Amerikane ka ngritur shumë pyetje rreth angazhimit të njësisë më elitare të parashutistëve në botë.

Vetëm 18 orë pas dhënies së urdhrit, një nga tre brigadat e këtij divizioni mund të dislokohet nga baza kryesore Fort Bragg në Karolinën e Veriut në çdo pikë të globit. Kjo aftësi e veçantë vendos Divizionin e 82-të në krye të njësive ajrore, duke u mbështetur edhe në historinë e gjatë të operacioneve luftarake që kjo njësie ka kryer në mbarë botën.

Thjeshtuar, Divizioni i 82-të është njësia e parë amerikane që hyn në tokën e armikut me detyrë kryesore marrjen e objekteve me rëndësi strategjike, si aeroportet, portet, qendrat komandues-komunikative, rezidencat presidenciale dhe objekte të tjera kyçe.

Në kohë paqeje, divizioni organizohet në tre ekipe luftarake brigade, secila me deri në 4500 ushtarë. Këto tri brigada, së bashku me batalionet e këmbësorisë, përbëjnë forcën kryesore të divizionit, ndërsa njësitë mbështetëse artilerike dhe të inteligjencës e zmadhojnë përbërjen totale deri në 20 mijë ushtarë, shkruan thenewyorktimes.

Në kushte paqeje, një nga këto tri brigada është gjithmonë e gatshme dhe mund të plotësohet sipas nevojave të operacioneve luftarake. Të gjithë ushtarët janë trajnuar për parashutë, ndaj shpesh thuhet se në Divizionin e 82-të “të gjithë fluturojnë me parashutë, nga kuzhinierët tek specialistët e operacioneve kibernetike”.

Ndryshe, divizioni u formua në vitin 1917 si Divizioni i 82-të i Këmbësorisë dhe mori nofkën “All-American”, sepse ushtarët vinin nga të gjitha shtetet e SHBA-së.

Pas sukseseve të shquara në vitin 1942, Divizioni i 82-të u bë njësia e parë ajrore-desant amerikane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai arriti suksese vendimtare që e bënë njësinë më elitare të parashutistëve të ushtrisë amerikane.

Nga betejat në Itali pranë Salernos, përmes Normandisë dhe operacionit “Market Garden”, deri te Ardenat dhe Pylli i Hurtgenit, Divizioni i 82-të udhëhoqi shumë nga operacionet kryesore të ushtrisë amerikane.

Gjatë Luftës së Ftohtë, divizioni mori pjesë në luftën e Vietnamit, ndërhyrjet në Panama dhe Grenadë, si dhe në operacione paqeruajtëse në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe më pas në Lindjen e Mesme, në Afganistan dhe Irak, si pjesë e luftës kundër terrorizmit. /Telegrafi

Shpërndaje në: