Ismajli nga Gjeneva: Koha e keqqeverisjes politike në Gjilan ka mbaruar, është koha e angazhimit

Ismajli nga Gjeneva: Koha e keqqeverisjes politike në Gjilan ka mbaruar, është koha e angazhimit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka zhvilluar një vizitë në Gjenevë të Zvicrës, ku është takuar me bashkatdhetarë nga Gjilani. Në një postim në rrjete sociale, ai ka vlerësuar lart rolin e diasporës në zhvillimin e qytetit dhe ka theksuar përkushtimin për një qeverisje të re në Gjilan.

“Në Gjenevë të Zvicrës u ndjeva sikur isha në zemër të Gjilanit,” shkruan Ismajli, duke përshkruar emocionet që ka përjetuar gjatë takimit me mërgatën.

Sipas tij, diaspora vazhdon të jetë një shtyllë e fortë për zhvillimin e vendlindjes, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë shoqëror.

“Bashkatdhetarët tanë me energjinë, idetë dhe dashurinë e tyre për vendlindjen na treguan edhe njëherë se sa e fuqishme është diaspora jonë.”

Ismajli ishte i shoqëruar nga nënkryetari i LDK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, si dhe nga Fitim Guda, kandidat për Asamblenë Komunale të Gjilanit. Ai njoftoi se takimet në Zvicër ishin të mbushura me përkrahje për vizionin e tij për një “Gjilan të ri”.

“Qytetarët e Gjilanit [në Gjenevë] na dhanë përkrahjen dhe mbështetjen e jashtëzakonshme për rrugën e tyre drejtë Gjilanit të ri.”

Në postimin e tij, ai ndalet edhe te lidhja emocionale që mërgimtarët kanë me vendlindjen:

“Në fytyrat dhe çdo fjalë të tyre ndihej përgjegjësia e madhe që mbartin për familjet e tyre në Gjilan, por edhe krenaria e thellë që janë pjesë e historisë së suksesit të kombit tonë.”

Ismajli i konsideron bashkatdhetarët si “ura lidhëse mes Kosovës dhe diasporës”, dhe shpreh mirënjohje për organizimin dhe mikpritjen që i është bërë në Zvicër.

“Një falënderim i posaçëm i takon mikut tonë të çmuar, Besnik Benz, dhe kryesisë së Nëdegës së Gjenevës, të cilët me mikpritjen dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm bënë që ky organizim të jetë historik dhe mbamendës.”

Ai shtoi se përkrahja që ka marrë në diasporë i ka dhënë “energji të re, besim e forcë” për të realizuar vullnetin e qytetarëve më 12 tetor, kur pritet të mbahen zgjedhjet.

“Koha e keqqeverisjes politike në Gjilan ka mbaruar. Është koha e përgjegjësisë, angazhimit e përpjekjes së përbashkët për një qeverisje të drejtë e shumë parimore.”

Shpërndaje në: