Ismet Bahtijarit i refuzohet marrëveshja për pranimin e fajësisë

Ismet Bahtijarit i refuzohet marrëveshja  për pranimin e fajësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të martën ka njoftuar që është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në mes Haxhi Shalës, Sabit Januzit, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte pranuar për Ismet Bahtijarin.

Sipas vendimit të trupit gjykues, kjo marrëveshje e arritur në mes ZPS-së dhe Ismet Bahtijarit nuk ishte pranuar me arsyetimin se nuk i përmbushte kushtet ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket rendit kronologjik, më 13 nëntor 2024, ZPS-ja kishte informuar gjyqtarët e rastit se kanë arritur marrëveshje me tre të akuzuarit dhe kishte kërkuar nga të gjitha palët që të caktohen sa më shpejt procedurat e pranimit të marrëveshjeve.

“Më 29 nëntor 2024, Paneli lëshoi “Vendimin mbi Çështjet që lidhen me Procedurat e Pranimit”, ku urdhëroi: (i) Palët, siç është e nevojshme, që të dorëzojnë një version të rivendosur të çdo marrëveshje pranimi, në përputhje me kërkesat e Rregullit 94(2)(a)-(b), (5) dhe (8) të Rregullave të Procedurës dhe Dëshmive para Dhomave të Specializuara të Kosovës (Rregullat), dhe (ii) ZPS-në që të dorëzojë një aktakuzë të rivendosur”, thuhet tutje në vendim.

Sipas vendimit ishte miratuar pjesërisht edhe kërkesa e mbrojtjes së Bahtijarit për ta ruajtur konfidencialitetin e procedurave të marrëveshjes së pranimit deri në një njoftim tjetër.

“Paneli vendosi që të zhvillohen seanca për procedurat e pranimit më 18 dhjetor 2024 dhe, nëse është e nevojshme, më 19 dhjetor 2024”, thuhet në vendim.

Më 6 dhjetor mbrojtjet e tre të akuzuarve kishin dorëzuar dorëzimet e tyre përkatëse që lidhen me çështjen e dënimit si dhe kanë paraqitur prova ose informacione që ndërlidhen me këtë pjesë.

“Po në të njëjtën ditë, sipas vendimit mbi Procedurat e Pranimit, ZPS dorëzoi: (i) dorëzimet e tij për marrëveshjet e pranimit dhe dënimin, duke përfshirë versionet e rivendosura të secilës marrëveshje pranimi (Marrëveshjet e Pranimit të Rivendosura); dhe (ii) aktakuzën e rivendosur”, thuhet në vendim.

Megjithatë, vendimi thotë se ZPS-ja tashmë ka thënë se është e gabuar një gjetje kyçe e vendimit mbi procedurat e pranimit të fajësisë në marrëveshjen në mes ZPS-së dhe Bahtijarit.

Duke qenë se e njëjta çështje mbetet në Marrëveshjen e Pranimit të Rivendosur të Bahtijari, Paneli nuk mund të vazhdojë pa një vendim të Panelit të Apelit mbi aplikueshmërinë e atij Rregulli, nëse kërkesa e ZPS për leje apelimi miratohet. Për këtë arsye, Paneli nuk do të diskutojë më tej Marrëveshjen e Pranimit të Rivendosur të Bahtijari gjatë seancave të ardhshme”, thuhet në vendim.

Seancat për pranimin e fajësisë nga dy të akuzuarit të cilëve iu është pranuar do të mbahen me 18 dhe eventualisht me 19 dhjetor 2024.

Sipas vendimit në këto seanca do të diskutohet nëse dy të akuzuarit i kanë bërë këto marrëveshje me vullnetin e tyre të lirë.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.

Shpërndaje në: