Ismet Kryeziu: KQZ në gjendjen më të dobët që nga themelimi

Ismet Kryeziu: KQZ në gjendjen më të dobët që nga themelimi

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka vlerësuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pikën më të keqe që pas shpalljes së pavarësisë, kur vendorët i kanë marrë kompetencat nga ndërkombëtarët.

Kryeziu ka thënë se gjuha e përdorur nga anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ është jo etike dhe dëmton imazhin e këtij institucioni.

“KQZ s’ka qenë në pikën më të dobët asnjëherë që nga themelimi i saj, ose prej marrjes së përgjegjësisë nga ana e vendorëve në vitin 2010, pas shpalljes së pavarësisë. Gjuha që përdorin ata, jo vetëm që është jo etike, dëmton imazhin e KQZ-së, dhe ka prodhuar edhe reagime të institucioneve ndërkombëtare. Kjo gjuhë është e dënueshme dhe e papranueshme”, ka thënë Kryeziu.

Për Kryeziun, KQZ është kthyer në një kolegj politik, duke humbur rolin për të cilin është thirrur.

Javën e kaluar, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, sulmoi mediat duke i konsideruar organizatë kriminale që kryejnë “vrasje me pagesë”, duke shkaktuar shumë reagime dhe kërkesë për shkarkimin e tij nga presidentja./Periskopi/

 

Shpërndaje në: