Ja kur pritet të bie çmimi i naftës në Kosovë, jep detaje Fadil Berjani

Ja kur pritet të bie çmimi i naftës në Kosovë, jep detaje Fadil Berjani

Pikërisht në orën 22:00, kur mbyllet burësa ndërkombëtare e naftës, përcaktohet edhe trendi i çmimeve të derivateve për ditën e nesërme në Kosovë.

E derisa pritet se si do të lëvizin çmimet pas këtij momenti, qytetarët në Kosovë po përballen me çmimet aktuale, të cilat sipas tyre janë rritur shpejt dhe mbeten të larta në raport me të ardhurat që kanë.

Sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, aktualisht një litër dizel në tregun kosovar po shitet nga 1 euro e 39 centë deri në 1 euro e 60 centë, ndërsa benzina nga 1 euro e 27 centë deri në 1 euro e 39 centë, raporton KosovaPress. Çmimi i naftës deri më 28 shkurt ka qenë 1 euro e 12 euro centë deri 1 euro e 19 euro centë.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, thotë se pavarësisht lëvizjeve të fundit, qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmime ndër më të ulëtat në rajon, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut që ka akcizë më të ulët për karburantet.

Berjani thekson se vetëm Maqedonia e Veriut ka çmime më të ulëta, por sipas tij kjo ndodh për shkak të akcizës më të vogël.

“Sot çmimet e derivateve të naftës në tregun kosovar sillen përafërsisht 1 litër diesel 1.39 centë deri në 1.60 centë. Benzina 1.27 centë deri në 1 euro e 39, plus, minus këtu ekziston, por mund të them lirisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore. Por, Maqedonia e ka akcizën më të ulët 22 centë. Sot në Maqedoni 1.34 një litër diesel, shtoja edhe 22 centë, 1.65”, thotë Berjani.

Ai ka shtuar se rritja e çmimeve lidhet me zhvillimet globale, veçanërisht pas sulmeve SHBA – Izrael në Iran.

“Rritja e derivateve të naftës është shkaku i luftës në Iran. Situata globale e cila është këtu, është shkaku i kësaj…Presidenti Trump e vendos se carë çmime dhe si do të jetë situata në tërë globin me derivate të naftës. Kjo krizë është në tërë botën…Për momentin është trendi në rënie, nuk është e saktë, berza mbyllet në ora 22:00, atëherë e dimë në ora 22:00 se çfarë çmime do të kemi për nesër”, nënvizon Berjani.

Berjani ka kritikuar edhe rritjen e çmimeve në markete dhe shërbime të tjera, duke thënë se ato shpesh lidhen me çmimin e naftës edhe kur ky i fundit është në rënie.
Derisa apelon kompanitë e autobusëve të mos rrisin çmimet e biletave, pasi siç thotë ai, çmimet e derivateve do të vinë në nivelin e rënies.

“Çdoherë, marketet, supermarketet e mëdha janë të lidhura me naftën, kinse nafta është rritur dhe çmimet janë rrit. Unë apeloj dhe besoj se edhe ata duhet të kuptojnë se nafta është në rënie, nafta po bie, por çmimet në markete nuk po bien, ky është problemi shumë i madh…Po ashtu rritja e biletave të autobusit besoj se ata kanë arsyeje, por mos të nguten, sepse trendi është në rënie, besoj se çmimet e derivateve do të vinë në nivelin e duhur”, shprehet Berjani.

Ndërkohë, qytetarët shprehen të shqetësuar për nivelin e çmimeve, duke thënë se ato janë të larta krahasuar me të ardhurat në Kosovë.

Qytetari Edan Bregubuca thotë se çmimet duhet të ulen, pasi sipas tij janë të papërballueshme për shumë familje.

Madje, ai tregon se është dashur tw shmangen edhe disa lëvizje me veturë.

“Duhet të bien çmimet, me mundësitë që kemi në Kosovë, me rrogat është pak shumë lartë. Çdo gjë që hypet është keq për neve…Mendoj se po (ka qenë veprim u ngutshëm të shtrenjtohen), këtu pak është edhe ndonjë propagandë që mezi nuk kanë pritur të shtrenjtohen pak. Kerri është edhe nevojë…Nuk kemi qare pa i shmang do lëvizje që kemi bërë që kanë qenë të panevojshme për shkak çmimit”, thotë ai.

Edhe qytetari Elmi Hamiti thotë se rritja e çmimeve ka ndodhur shumë shpejt.

“Kogja shumë janë rrit çmimet. Por, çka të bëjmë…Të larta janë shumë…Shumë shpejt janë rrit…Ka deklaruar Trump, por sedi të kqyrim a po e dëgjojnë këta këtu…ame kushtet e këtu”, thotë ai.
Ndërsa qytetari Fatmir Zogiani ngriti shqetësimin për dallimet e çmimeve ndërmjet pikave të ndryshme të karburanteve, duke thënë se sipas tij në disa raste po abuzohet me çmimet.

“Më e keqja është qe dallon çmimi, derisa në të njëjtin vend furnizohen. Ky e ka më lirë, pse ky ka mundësi me shit më lirë…Çfarë kontrolle nuk e di…Është marri me lujt me popull në këtë krizë…Normal (ish dasht me pas masa ndëshkuese) e kanë atë tavanin 12 centë fitim, nuk kanë më shumë fitim, këta e kanë bërë sa të duash…Nuk ka hyp çmimi as në Itali, as në Zvicër, shtetet shumë të forta, tek ne qe ku është Porti i Durrësit”, thotë Zogiani.

Ndërsa, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarresisë dhe Tregtisë kanë bërë të ditur se institucionet po monitorojnë tregun e derivateve për të parandaluar çdo praktikë të padrejtë tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët. Sipas tyre, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, bën të ditur se po zhvillon mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve.
Po ashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, është duke analizuar të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Kujtojmë se më 4 mars 2026, Ministria e Industrisë, Ndërrmarësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka nxjerr njw vendim për caktimin e çmimeve tavan të produkteve të naftës. Ky vendim sipas ministres së MINT, Mimoza Kusari-Lila erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme.

Në njoftim bëhet e ditur po ashtu se marzha tregtare maksimale e lejuar në shitjen me shumicë është deri në 2 eurocentë për litër, ndërsa në shitjen me pakicë, deri në 12 eurocentë për litër.

Ndërkaq, çmimet e naftës nw burës ranë të martën pasi presidenti amerikan Donald Trump e paralajmëroi Iranin të mos bllokojë një rrugë transporti detar thelbësore për furnizimet globale me energji.

“Nëse Irani bën diçka që ndalon rrjedhën e naftës brenda Ngushticës së Hormuzit, ai do të goditet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës NJËZET HERË MË FORTË sesa është goditur deri më tani”, paralajmëroi Trump në rrjetet sociale.

Në tregtinë e mëngjesit në Azi, nafta e papërpunuar Brent ishte 6.5% më e ulët në 92.46 dollarë dhe Nymex Light Sweet ra 7% në 88.15 dollarë.

Nafta kishte arritur pothuajse 120 dollarë për fuçi të hënën për shkak të frikës se lufta SHBA-Izrael me Iranin do të shkaktonte ndërprerje të gjata të furnizimeve nga Lindja e Mesme, por ra pasi Trump sugjeroi se lufta mund të mbaronte së shpejti.

Shpërndaje në: