Ja me sa vite burg mund të dënohen të dyshuarit për vrasjen e Aulonit, nëse shpallen fajtorë
Në rast se Gjykata Themelore e Prishtinës bindet se dy të miturit, 16-vjeçari Guxim H. dhe Riga G., një vit më e re, kanë kryer vrasjen e Aulon Zekës (16 vjeç), atëherë i pari mund të dënohet me më së shumti 5 vjet burgim për krimin që tronditi gjatë fundjavës kryeqytetin. Derisa, ndaj 15-vjeçares, Gjykata, sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, mund të shqiptojë vetëm masë edukative.
“Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me më së paku 10 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm. Por në rast se ngrihet aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Aulon Zekës që u gjet i vdekur të shtunën në mëngjes në afërsi të një shkolle në Prishtinë, Gjykata aplikon dënimet sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, pasi dy të arrestuarit janë të moshës minore.
E në rastet e tilla pika e parë e Nenit 34 të kodit për të Mitur, që përcakton kohëzgjatjen e burgimit minor parasheh se kohëzgjatja e dënimit ndaj një të mituri të dënuar me burgim “nuk mund ta kalojë maksimumin e burgimit të paraparë për veprën penale por mund të jetë më i ulët se minimumi i burgimit të paraparë për veprën penale”.
Ky nen i Kodit për Drejtësi për të Mitur, në pikën e dytë specifikon se burgimi për të mitur nuk mund të shqiptohet në kohëzgjatje më pak se gjashtë muaj as më shume se 5 vjet.
“Maksimumi i burgimit për të mitur është dhjetë (10) vjet për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim afatgjatë, ose kur i mituri ka kryer së paku dy (2) vepra penale në bashkim, ku secila është e dënueshme me burgim prej më shumë se dhjetë (10) vjet”, përcaktohet në pikën e dytë të Nenit 34 të Kodit për Drejtësi Penale.
Aplikimi i dënimit shqiptohet në muaj dhe vite të plota, specifikon e njëjta pikë e këtij neni, shkruan Express.
Po ashtu, ky nen thotë se “kur gjykata vendos për kohëzgjatjen e burgimit për të mitur, merr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parapara në nenin 8 të këtij Kodi dhe nenin 64, paragrafët 1. dhe 2. të Kodit Penal të Kosovës”.
Neni 8 i këtij kodi përcakton “zgjedhjen e masave dhe të dënimeve të zbatueshme”. Paragrafi i parë përcakton se “kur ndaj të miturit shqiptohet ndonjë masë apo dënim, gjykata në radhë të parë merr parasysh interesin më të mirë të të miturit.
“Gjykata, gjithashtu, merr parasysh edhe këto rrethana: llojin dhe peshën e veprës penale, moshën e të miturit, nivelin e zhvillimit psikologjik, karakterin e tij dhe prirjet, motivet që e nxitën atë të kryejë veprën penale, edukimin e tij në atë fazë, mjedisin dhe rrethanat e jetës së tij, nëse është shqiptuar masë apo dënim më herët dhe rrethanat tjera që mund të ndikojnë në shqiptimin e masës apo dënimit”, thotë paragrafi i parë i nenit 8 të Kodit për Drejtësi për të Mitur.
“Shërbimi sprovues përgatit anketë të plotë sociale për të miturin me kërkesë të prokurorit publik, gjyqtarit për të mitur ose gjykatës ashtu siç është paraparë në këtë Kod. Anketa sociale përfshin të dhëna mbi moshën e të miturit dhe zhvillimin psikologjik, biografinë e familjes, biografinë dhe rrethanat nën të cilat jeton i mituri, nivelin shkollor, përvojën edukative dhe çfarëdo të dhëne tjetër relevante”, përcakton pika e dytë e të njëjtit nen.
Ndërsa në pikën e tretë të Nenit 8 të Kodit për Drejtësi për të Mitur, gjykata që shqipton dënimin obligohet që para se të zgjedhë masën apo dënimin, “mund të kërkojë nga shërbimi sprovues raportin parandëshkues dhe mendimin lidhur me zgjedhjen e masës apo dënimit”.
Por, këto masa mund të jenë të shqiptueshme vetëm ndaj të dyshuarit Guxim H., djali i ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës. Ky kod, moshën e tij 16-vjeçare e përkufizon si “I mitur i rritur”. Në këtë përkufizim hyjnë personat ndërmjet moshës gjashtëmbëdhjetë (16) dhe tetëmbëdhjetë (18) vjet.
E dashura e Guximit, Riga G., një vit më e re, sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, Neni 2, përkufizohet si “I/E mitur i/e ri/e”, që ky nen përcakton në përkufizim personat ndërmjet moshës katërmbëdhjetë (14) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç. Riga G., e dyshuar për të njëjtën vrasje, është 15 vjeçe.
Rrjedhimisht, sipas këtij Kodi, ndaj saj Gjykata nuk mund të shqiptojë ndonjë dënim. Kjo pasi paragrafi i tretë i Nenit 7 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur thotë se “dënimi nuk mund t’i shqiptohet të miturit i cili ka qenë nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet në kohën e kryerjes së veprës penale”.
Ndaj saj, nëse Gjykata arrin të bindet se ka kryer vepër penale atëherë do të mundë t’i shqiptojë vetëm masa edukative, të parapara në të njëjtin kod.
Masa edukative ekzekutohet duke respektuar personalitetin dhe dinjitetin e të miturve, duke inkurajuar zhvillimin e tyre fizik, moral dhe intelektual, si dhe duke mbrojtur shëndetin e tyre fizik dhe mendor, thuhet në një nga nenet e Kodit të Drejtësisë për të Mitur.
Kjo masë edukative ekzekutohet në institucione të posaçme bazuar në programin individual që përfshin mjete motivuese, të cilat u janë adaptuar karakteristikave personale të të miturit, regjistrimit në shkollë dhe aftësim profesional, aktiviteteve të kohës së lirë, aktivitetit me prindërit, prindërit adoptues, kujdestarit apo anëtarëve të tjerë të familjes së të miturit dhe mënyrave të tjera të ushtrimit të ndikimit ndaj të miturit.
“Masa edukative ekzekutohet pas vendimit të formës së prerë të gjykatës dhe kur nuk ka më pengesa juridike për ekzekutimin e saj, përveç rasteve kur ky Kod parasheh ndryshe”, thuhet në nenin 87 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur.
Të dielën mbrëma, Policia e Kosovës ka arrestuar Guxim H. dhe Riga G. të dy minorë, si të dyshuar për vrasjen e Aulon Zekës, 16 vjeç. Sipas hetimeve të para dy të dyshuarit janë në lidhje mes vete, derisa viktima ka pasur po ashtu simpati për 15-vjeçaren.
Asnjëri prej të dyshuarve nuk ka pranuar fajësinë, ndërkohë se Gazeta Express ka publikuar të hënën një fotografi ku shihen Guximi dhe Riga me një pistoletë. Fotografia, sipas burimeve të gazetës brenda autoriteteve kosovare, rezulton të jetë shkrepur nga një incizim “live” në profilin e të dyshuarës femër minore në Instagram, derisa intervali kohor dyshohet të jetë pak minuta pasi është vrarë Aulon Zeka.
Ndryshe, “Vrasje e rëndë” Kodi Penal i Kosovës klasifikon këdo që “privon nga jeta fëmijën”, “privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake”, “privon nga jeta personin tjetër nga hakmarrja e paskrupullt apo nga motive të tjera të ulëta, përfshirë hakmarrjen” etj. /M.Gj.



