Jaka: Kosova është investitori kryesor i huaj në Shqipëri në vitin 2025
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, në një bisedë për Radio Kosovën, ka thënë se një trend i veçantë i periudhës së fundit është se Kosova është bërë investitori më i madh në Shqipëri, duke çuar në rritje të ndjeshme të investimeve direkte dhe duke shfrytëzuar potencialin e tregut shqiptar në sektorë si pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, energjia dhe turizmi.
Z. Jaka, si e vlerësoni nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Nikolin Jaka: Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka njohur përmirësime të dukshme gjatë viteve të fundit, duke reflektuar vullnetin politik dhe interesin në rritje të komunitetit të biznesit në të dy vendet. Shkëmbimet tregtare kanë arritur në nivele historike. Për pjesën e parë të vitit 2025, eksportet shqiptare në Kosovë vlerësohen rreth 420 milionë euro (rreth 41 miliardë lekë), pothuajse dyfish më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Importet nga Kosova drejt Shqipërisë janë gjithashtu në rritje, por në përgjithësi mbeten në nivele më të ulëta krahasuar me eksportet e Shqipërisë.
Megjithatë, pavarësisht këtyre rezultateve, niveli aktual i bashkëpunimit mbetet ende nën kapacitetin real që dy ekonomitë mund të arrijnë, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet historike dhe kulturore, si dhe strukturën komplementare të tregjeve. Tregtia është e përqendruar kryesisht në sektorë tradicionalë si materialet e ndërtimit, karburantet, pijet, metalet dhe mineralet, ndërsa sektorë të tjerë me vlerë të shtuar mbeten të pashfrytëzuar.
Nga perspektiva e biznesit, pengesat administrative, procedurat doganore, si dhe zbatimi jo gjithmonë efektiv i marrëveshjeve ekzistuese, vazhdojnë të konsiderohen si barriera në thellimin real të bashkëpunimit ekonomik. Për këtë arsye, është e nevojshme një qasje më praktike dhe e koordinuar, e fokusuar në lehtësimin e procedurave, harmonizimin e rregulloreve dhe krijimin e kushteve konkrete që bizneset të operojnë më lirshëm dhe më konkurrueshëm në të dy tregjet.
Cilët janë sektorët kryesorë ku bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve ka shënuar rritje vitet e fundit?
Nikolin Jaka: Vitet e fundit, bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar rritje në disa sektorë kyçë, ku interesimi i bizneseve dhe mbështetja institucionale kanë dhënë rezultate konkrete.
Një nga fushat kryesore mbetet tregtia e mallrave industriale, veçanërisht materialet e ndërtimit, mineralet, energjia dhe produkte të tjera industriale, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Sektori i energjisë përfaqëson një drejtim të rëndësishëm dhe relativisht të ri bashkëpunimi, veçanërisht përmes funksionimit të bursës shqiptare të energjisë ALPEX dhe projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë elektrike, të cilat po krijojnë mundësi për optimizimin e burimeve dhe stabilizimin e tregut energjetik në nivel rajonal.
Gjithashtu, transporti dhe infrastruktura logjistike janë fusha ku bashkëpunimi është intensifikuar, veçanërisht në drejtim të përdorimit të porteve shqiptare nga bizneset e Kosovës dhe realizimit të projekteve infrastrukturore që synojnë lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve.
Në sektorin e bujqësisë dhe produkteve ushqimore, ka pasur rritje të shkëmbimeve tregtare dhe nisma bashkëpunimi në nivel qeveritar, megjithëse ekziston ende potencial i pashfrytëzuar për rritjen e vlerës së shtuar dhe standardizimin e produkteve.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, investimet direkte ndërmjet dy vendeve mbeten ende relativisht modeste. Sektori privat vazhdon të kërkojë një mjedis më të favorshëm biznesi, infrastrukturë më të zhvilluar dhe mekanizma mbështetës që do të nxisnin bashkëpunime më të thelluara dhe afatgjata.
Çfarë ndikimi kanë pasur marrëveshjet ndërqeveritare në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve?
Nikolin Jaka: Marrëveshjet ndërqeveritare kanë pasur një rol të rëndësishëm në krijimin e bazës institucionale dhe ligjore për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nga këndvështrimi i biznesit, këto marrëveshje janë thelbësore pasi krijojnë siguri juridike për investitorët. Veçanërisht marrëveshjet për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve dypalëshe që synojnë të rrisin kapitalin ndërkufitar dhe të inkurajojnë angazhimin më aktiv të sektorit privat në të dy tregjet.
Gjithashtu, marrëveshjet e reja në fusha si bujqësia, sigurimet shoqërore, hekurudhat, energjia dhe bashkëpunimi kufitar kanë zgjeruar ndjeshëm kornizën e bashkëpunimit ekonomik, duke krijuar premisa për integrim më të thelluar të tregjeve dhe përmirësim të kushteve operacionale për bizneset.
Lehtësirat doganore, njohja reciproke e dokumenteve dhe standardeve industriale, si dhe masat për thjeshtimin e procedurave, kanë ndihmuar në reduktimin e barrierave për tregti dhe në rritjen e mobilitetit të mallrave dhe shërbimeve ndërmjet dy vendeve.
Mirëpo, duhet theksuar se, pavarësisht progresit në nivel formal dhe institucional, ndikimi real i këtyre marrëveshjeve në terren shpesh mbetet më i kufizuar për shkak të sfidave në zbatimin praktik. Për komunitetin e biznesit, fokusi kryesor duhet të jetë tani te monitorimi i zbatimit, koordinimi institucional dhe shndërrimi i këtyre marrëveshjeve nga dokumente formale në instrumente funksionale që prodhojnë rezultate konkrete ekonomike.
Sa i interesuar është sektori privat për investime të ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Nikolin Jaka: Mungesa e barrierave gjuhësore dhe kulturore, afërsia gjeografike dhe lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës e bëjnë procesin e integrimit të bizneseve shumë më të lehtë dhe më të shpejtë.
Megjithatë, një trend i dukshëm i viteve të fundit është se bizneset nga Kosova tregojnë një interes shumë më të lartë për të investuar në Shqipëri sesa bizneset shqiptare në Kosovë. Në fakt, Kosova është bërë investitori kryesor i huaj në Shqipëri për vitin 2025, duke shënuar një vit rekord për flukset e kapitalit dhe blerjet strategjike në tregun shqiptar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm për tremujorin e tretë të 2025, investimet nga Kosova arritën 90 milionë euro, katër herë më shumë se një vit më parë. Për të gjithë 9-mujorin e vitit, investimet direkte nga Kosova kapën 153 milionë euro, duke regjistruar një rritje dramatike prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Referuar këtyre shifrave, mund të themi se janë disa arsye pse Shqipëria paraqet interes për shumë biznese nga Kosova. Së pari, Shqipëria ofron një treg në rritje, veçanërisht falë zhvillimit të turizmit dhe rritjes së konsumit, si dhe mundësive për zgjerim në sektorë të ndryshëm, që e bëjnë vendin një destinacion shumë të favorshëm për investime.
Në Shqipëri, ndërkohë, ka kërkesë të lartë për banesa dhe prona, veçanërisht nga të huajt dhe diaspora shqiptare. Për pasojë, duke qenë se tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme, kompanitë e ndërtimit në Kosovë kanë shfaqur interes të lartë. Kompani ndërtimi nga Kosova kanë blerë pjesë në kompani shqiptare për të pasur lehtësi ligjore, për të marrë leje ndërtimi më shpejt dhe për të ndërtuar me partnerë lokalë, duke parë mundësi të shumta për projekte të reja. Në ndryshim nga Kosova, ku tregu është i tejngopur, Shqipëria ofron një hapësirë më të madhe.
Nga ana tjetër, Shqipëria ofron një gamë të gjerë incentiva për bizneset nga Kosova, si në formë zyrtare, ashtu edhe përmes lehtësirave praktike.
Nga perspektiva jonë institucionale, ky trend duhet parë jo si një largim i kapitalit, por si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mbarëkombëtar dhe për të krijuar një hapësirë më të integruar biznesi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nikolin Jaka: Ky është momenti që të punojmë shumë që institucionet të krijojnë mekanizma mbështetës për bizneset, duke e bërë këtë proces më të strukturuar, më të sigurt dhe me përfitime afatgjata për të dyja palët.



