Jashanica tregon vendet ku mund të transferohet

Jashanica tregon vendet ku mund të transferohet

Mbrojtësi nga Kosova, Bajram Jashanica ka zbuluar kampionatet ku mund të transferohet nga klubi shqiptar, Skënderbeu.

Jashanica e ka nisur nga stoli takimin e të enjtes mbrëma ndaj Dinamos së Kievit, pasi sapo është rikthyer nga një dëmtim që e la jashtë fushave për disa ditë.

Megjithatë, interesimi për shërbimet e tij është i madh dhe emri i tij ka qenë gjithmonë i lakuar nga mediat për një transferim në kampionate të ndryshme.

Mbrojtësi kosovar është futbollisti i radhës që pritet të largohet nga korçarët dhe ndoshta largimi i tij mund të bëhet qysh në afatin kalimtar të janarit.

Një gjë të tillë e ka pranuar vetë mbrojtësi llapjan në një deklaratë të dhënë për mediumin shqiptar Supersport.

“Është e vërtetë që po negociohet mbi shitjen time, sepse të gjithë e duam një aventurë në Evropë dhe nuk kam pse e fsheh”, ka thënë fillimisht Jashanica.

“Është ende herët për të treguar emra, por besoj se klubi im i ardhshëm do të jetë në Rusi ose Belgjikë”, përfundoi mbrojtësi llapjan.

Ndryshe, Skënderbeu sezoneve të fundit ka shitur shumë lojtarë, ku ndër ta: Bernard Berisha, Petar Olaynika dhe Liridon Latifi.

Shpërndaje në: