Java që fundosi Erdogan

Java që fundosi Erdogan

Nga: Endri Tafani

Java e kaluar  ka qenë një goditje e rëndë ndaj Erdoganit dhe rrethit të tij. Në fillim ishte njohja e Somaliland nga Izraeli dhe më pas goditja e Maduros.

Turqia është destinacioni i dytë më i madh i eksporteve të naftës venezueliane pas Kinës, duke patur një volum vjetor rreth 2.5 miliardë dollarë. Kjo është tregtia që është në sipërfaqe por ka një tregti tjetër 2 here më të madhe në vlerë, por që është e fshehtë dhe e panjohur nga publiku i gjerë. Kjo tregti me vlerë vjetore 5 miliardë euro është trafiku i kokainës nga Venezuela në drejtim të Turqisë. Kokaina vjen nga Kolumbia dhe Venezuela vetë shërben si nyje dalëse nga Amerika e Jugut dhe Turqia shërben si nyje hyrëse në Europë.

Bossi i mafias turke Sedat Peker dëshmoi se pas konfiskimit të 4.9 tonëve kokainë në Kolombi (destinuar për Turqinë në 2020), u krijua një rrugë e re trafiku përmes Venezuelës. Ai akuzoi Erkam Yıldırım (birin e ish-kryeministrit turk Binali Yıldırım) se vizitoi Venezuelën në 2021 për të organizuar këtë rrugë, duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit të DEA-s amerikane atje. Raportet në media e përshkruajnë Turqinë si pjesë të një rruge të re kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës, me Venezuelën si pikë nisjeje për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve me Cartel of the Suns (karteli i akuzuar i lidhur me ushtarakë venezuelas).

Rrethi i bashkëpunëtorëve të Erdoganit është akuzuar për përfshirje në këtë trafik. Akuza kryesore nga vetë bota e krimit vijnë nga Sedat Peker, një bos mafioz turk (ish-aleat i AKP-së) që akuzoi Ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu dhe ish-ministrin Mehmet Ağar për mbrojtje të rrjeteve të trafikimit të kokainës nga Amerika Latine. Ashtu si dhe djalin e ish-kryeministrit Binali Yıldırım (Erkam Yıldırım), një figurë e afërt me Erdoğan-in, se vizitoi Venezuelën për të krijuar rrugë të re trafiku kokaine.

Qeveria turke vazhdimisht i ka mohuar këto akuza, por ajo që tashmë është e qartë është fakti që më rënien e Maduros këto raporte të ligjshme apo të paligjshme të Venezuelës me Turqinë nuk do jenë si më parë.

Në drejtim të çështjes së njohjes së Somaliland nga Izraeli duhet kujtuar fakti që në 2024 qeveria e Turqisë lidhi marrëveshje me Somaline për zbulimin dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore të Somalise. Marrëveshja përcakton se Turqia mund të rikuperojë deri në 90% të prodhimit si “cost petroleum” për të mbuluar shpenzimet, kurse Somalia garanton të paktën 5% royalty. Kritikët (opozita somaleze, analistë rajonalë) e quajnë marrëveshjen “të pabarabartë”, duke akuzuar për humbje të sovranitetit mbi rezervat e mëdha (vlerësohen deri në 30 miliardë fuçi naftë dhe gaz). Kjo marrëveshje tashmë hidhet në erë në momentin kur Somaliland një rajon i Somalise që ka 30 vjet që vetëqeveriset dhe ka shkëputur çdo lidhje me qeverinë qendrore të Somalise tashmë ka filluar të krijojë marrëdhënie dhe marrëveshje ndërkombëtare duke u njohur dhe ndërkombëtarisht. Pozita e Somaliland në hyrje të Detit të Kuq rrugës në të rëndësishme tregtare në botë si dhe portet e tij dhe stabiliteti ekonomik dhe politik në dallim nga pjesa tjetër e Somalise, e kanë kthyer vëmendjen e lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë financuar në portet e tij dhe vendet fqinje si Etiopia apo dhe aktorë me të largët si India janë të interesuara për to.

Njohja e shtetit të Somaliland nga Izraeli hap perspektiva të reja diplomatike për vendin për një njohje me të gjerë ndërkombëtare dhe prosperitet në dallim nga një regjim i dështuar si ai që ekziston vetëm në letër në Mogadisho dhe është i gatshëm të shesë gjithë pasuritë natyrore të kombit.

Kjo javë i ka dhënë një goditje të rëndë Erdoganit dhe ambicieve të tij. Mbetet për tu parë si do ecin ngjarjet më tej.

Shpërndaje në: