Jetët e gazetarëve, kosto kolaterale e propagandës?

Jetët e gazetarëve, kosto kolaterale e propagandës?

Shkruan: Doruntina Meha

Rënia e Kosovës për 24 pozita në indeksin global të lirisë së medias nga “Reporterët pa Kufij” nuk është thjesht statistikë. Është alarm i kuq. Është dëshmi se liria e shprehjes nuk po cenohet në heshtje, por po goditet hapur përmes një klime frike, presioni dhe linçimi publik që po bëhet gjithnjë e më agresiv.

Liria e shprehjes është themel kushtetues (neni 40) dhe garantohet nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Këto norma ekzistojnë për ta kufizuar pushtetin, për ta detyruar atë të përballet me kritikën. Por kur pushteti fyen median, delegjitimon çdo zë kritik dhe militantët e tij etiketojnë këdo që nuk pajtohet si “të paguar nga Serbia”, atëherë nuk kemi më debat, kemi krijim të qëllimshëm të armiqve.

Në këtë klimë të tensionuar gazetari Kreshnik Gashi, në emisionin “Kallxo Përnime”, hodhi një deklaratë që nuk është vetëm e papërgjegjshme është e rrezikshme: “Atë që e kemi parë në filmat e James Bond-it, ndodh në Kosovë, paratë vijnë me çanta nga Serbia”. Ai foli për gazetarë, analistë dhe avokatë që paguhen “me para në çanta”, duke e lidhur këtë me narrativën e Banjskës dhe një rast të supozuar të një agjenti të BIA-s që duhej t’i dorëzonte para një gazetari.

Kjo nuk është gazetari. Nuk është investigim. Është akuzë e përgjithësuar, pa emra, pa prova dhe pa asnjë element që mund të verifikohet. Një fjali e tillë, në një ambient të polarizuar, nuk informon publikun e ekspozon atë ndaj manipulimit dhe i hap rrugë linçimit.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Vetëm pak ditë më vonë, kryeministri Albin Kurti, në Kuvend, përdori pothuajse të njëjtën gjuhë: “para me thasë”, “manipulim nga armiqtë tanë”, “argatë brenda vendit”. Pra, një deklaratë e paqartë dhe e paprovuar u kthye menjëherë në armë politike. U institucionalizua. U përdor për të sulmuar median në tërësi.

Por problemi më i madh nuk është ky zinxhir deklaratash. Problemi është çfarë prodhon ky zinxhir në realitet.

Sepse kjo klimë nuk mbetet në studio. Nuk mbetet në foltore. Ajo zbret në terren. Dhe aty janë gazetarët që e paguajnë çmiminata që raportojnë nga ngjarjet, nga protestat, nga tensionet politike, pa mbrojtje reale, me paga minimale, përballë turmave që nuk kanë nevojë për shumë për t’u ndezur.

Kjo nuk është frikë teorike. Ka ndodhur. Në zgjedhjet e parafundit, pas sulmeve të hapura politike ndaj mediave si Klan Kosova, gazetarë janë sulmuar gjatë raportimit në terren.

Pra, kur pushteti targeton, dikush tjetër e kryen sulmin. Dhe kur kjo klimë ushqehet edhe nga deklarata të papërgjegjshme brendavetë medias, rreziku shumëfishohet.

Sepse në momentin që hidhet ideja se “ka gazetarë që paguhen nga Serbia”, pa asnjë provë, çdo gazetar bëhet i dyshimtë. Çdo gazetar në terren bëhet target potencial. Nuk ka rëndësi kush je, çfarë raporton apo ku punon, mjafton të jesh aty. Dhe kur turmat e ushqyera me propagandë fillojnë të besojnë se po përballen me “armik”, pasoja nuk është debat është dhunë.

Një gazetar me përgjegjësi ka detyrë të mbrojë standardin profesional, jo ta minojë atë. Akuzat pa prova nuk janë vetëm shkelje etike janë ndezje e qëllimshme e një klime që mund të dalë jashtë kontrollit. Dhe kur kjo vjen nga një gazetar me pozitë të lartë, efekti është edhe më i rëndë.

Duke futur të gjithë në një kategori të paqartë (“të paguar me çanta”), Gashi nuk dha informacion krijoi terren për targetim. Dhe duke bërë këtë, i dha pushtetit pikërisht atë që i duhej: një justifikim për të intensifikuar sulmin ndaj medias dhe për ta kontrolluar narrativën.

Dhe kjo nuk është e rastësishme. Është model. Një pushtet që nuk jeton pa armiq, gjithmonë krijon të rinj. Dhe këtë herë, shënjestra janë mediat. Sepse kur nuk mund ta kontrollosh realitetin, kontrollon perceptimin. Dhe mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është duke delegjitimuar çdo kritikë.

Solidariteti im është me gazetarët që punojnë në kushte të vështira, që mbajnë familje dhe që sot përballen jo vetëm me presionin e pushtetit, por edhe me pasojat e deklaratave të papërgjegjshme brenda vetë medias.

Dhe kjo është një thirrje e drejtpërdrejtë për mediat: reagoni. Mos heshtni. Mos e normalizoni këtë gjuhë. Sepse sot targetohet një gazetar. Nesër mund të jetë secili.

Jetët e gazetarëve nuk janë kosto kolaterale.

Shpërndaje në: