Joshua ka një premtim të madh për fansat e tij
Boksieri britanik Anthony Joshua do të duelojë për herë të parë në Amerikë më 1 qershor. Në stadiumin “Madison Square Garden” të Nju Jorkut ai do të përballet me boksierin vendës Jarrell Miller. Në këtë sfidë, Joshua do të mbrojë titujt kampionë bote në peshën e rëndë, në versionet IBF, WBA dhe WBO.
Në një postim në rrjetet sociale, Joshua, 21 fitore e asnjë humbje si profesionist, tha: “Mezi po pres që të dueloj në Amerikë. Për mua do të jetë hera e parë, por pas këtij sfide do të zhvilloj edhe shumë të tjera. Do të qëndroj gjatë në ‘tokën e premtuar’, ku do të bëj për vete të gjithë amerikanët”.
Më tej, boksieri britanik shtoi: “Shpresoj që edhe Wilder të vijë e të më takoj. Tani, ai e di se ku jam më 1 qershor, ndaj të mos fshihet më. Pasi të mund Miller do të jetë radha e Wilder të duelojë me mua, këtu në shtëpinë e tij. Unë shpresoj shumë që ajo sfidë të zhvillohet dhe të jem kampioni absolut i peshës së rëndë”.
Boksieri amerikan Deontay Wilder, që pritet të zhvillojë revanshin me Tyson Fury në maj të këtij viti, mban titullin e kategorisë WBC.



