Juventusi po e bën gati ofertën për yllin e mbrojtjes së Realit
Real Madridi pritet të jetë shumë aktiv gjatë verës, dhe një nga prioritetet është afrimi i të paktën një qendërmbrojtësi.
Kjo lidhet me largimin e pritshëm të David Alabas, ndërsa një tjetër që mund të largohet nga “Bernabeu” është edhe Antonio Rudigeri.
Ashtu si Alaba, edhe Rudigeri është në fund të kontratës në përfundim të sezonit.
Ka pasur shumë spekulime nëse do t’i ofrohet një kontratë e re, por aktualisht duket më e mundshme që Real Madridi t’i propozojë një zgjatje njëvjeçare, duke parë formën dhe gjendjen e tij fizike në javët e fundit.
Gjasat janë që Rudigeri të preferojë të qëndrojë në Madrid, por edhe nëse vjen një ofertë e tillë, nuk do të jetë e vetmja.
Sipas raportimeve nga “Tuttosport”, Juventusi po përgatit një ofertë për reprezentuesin gjerman, me synimin për ta rikthyer në futbollin italian.
“Zonja e Vjetër” synon t’i ofrojë një kontratë dyvjeçare, dhe nëse pranohet, ai do të ribashkohej me Luciano Spallettin, me të cilin ka punuar më parë te Roma.
Klubi italian tashmë ka zhvilluar bisedime me agjentin e lojtarit dhe pritet t’i intensifikojë ato për ta bindur për transferimin.
Drejtuesit e Real Madridit janë relativisht të qetë për mundësinë e largimit të tij, por trajneri aktual Alvaro Arbeloa dëshiron me ngulm që mbrojtësi veteran të qëndrojë.
Ai është një admirues i madh i Rudigerit dhe largimi i tij drejt Juventusit do të ishte një goditje e rëndë për të – edhe pse mbetet e paqartë nëse ai do të vazhdojë në krye të ekipit edhe sezonin e ardhshëm.



