“Kam luajtur kundër Realit para 70 mijë tifozëve, por nuk krahasohet atmosfera që u bë në Shqipëri” (Video)
Besnik Hasi nuk e harron asnjëherë atmosferën që u krijua në ndeshjen Shqipëri-Greqi
Shqipëria kishte mposhtur me rezultat 2:1 Greqinë në vitin 2004 vetëm pak muaj pasi grekët fituan Kampionatin Europian, transmeton Periskopi.
“Ndeshja me Greqinë i përmbledh të gjitha në ato vite. Ata sapo ishin shpallur kampionë të Europës dhe kjo ishte ndeshja e parë zyrtare, pasi ishin shpallur kampionë,” ka thënë Hasi për ‘Top Channel’.
“Ishte shtator, atmosfera në Shqipëri kishte të gjithë javën që ishte ndezur. Në atë kohë ishim shumë më profesionistë. Kur shkuam përpara ndeshjes në stadium, sheshi ‘Skënderbej’ ishte mbushur plot.
“Thamë me vete…s’paskan shkuar ende në stadium këta? Kur arritëm më pas në stadium, ai ishte i mbushur plot e përplot. Ata që pamë janë ishin tifozët që nuk kishin siguruar dot biletë e kishin mbetur jashtë. Dhe normal, si çdo herë përpara ndeshjes, kur futemi në stadium shohim barin për të vendosur se çfarë takash do të mbajmë për lojën.
“Atmosfera ishte e paparë, unë kisha luajtur me Realin e Madridit me 60-70 mijë shikues, derbin e Belgjikës, por prapë nuk krahasohej me atë atmosferë, sepse ishte vendi im.
“Në një moment isha me Igli Taren dhe ai më pa që u emocionova, e më tha ‘Ej, ej, prit, prit s’ka filluar ende loja’. I thashë se ajo ishte hera e parë që e shihja vendin tim në këtë mënyrë”, zbulon Hasi nga përjetimet e tij./Periskopi/



