Kampioni që po lufton për mbijetesë
Djelmoshat e trajnerit të deritanishëm të kësaj skuadre, Claudio Ranierit, luajtën një futboll tejet të bukur, që ua kishin lakmi edhe skuadrat e mëdha dhe tifozët e tyre. Me një skuadër modeste përfunduan mbi të gjitha skuadrat angleze, madje edhe mbi rivalë të mëdhenj si Manchester United, Chelsea, Manchester City e Arsenal.
Por, sezoni aktual po rezulton të jetë një ankth i keq për ‘dhelprat’, drejtuesit e të cilëve shkarkuan trajnerin Claudio Ranieri ditë më parë, pas rezultateve tejet zhgënjyese.
Mediat angleze shkruan se disa nga lojtarët e kësaj skuadre ‘kishin gisht’ në shkarkimin e ish-trajnerit të Chelseat dhe Juventusit.
Por, diçka mund të ketë të vërtetë në këtë çështje. Si është e mundur që në sezonin e kaluar përgjatë gjithë kohës kjo skuadër ruajti formën tejet të lartë, ndërsa aktualisht është ndër skuadrat me lojën dhe rezultatet më të dobëta në Premier Ligë? Largimi i N’Golo Kante ka mundur të ndikojë deri në një masë në lojën e ‘dhelprave’, por është absurde të mendohet se ai largim shkaktoi këtë përmbysje totale të kësaj skuadre për kaq pak muaj.
Pra, ka shumë mundësi që futbollistët të kenë qenë të vendosur për ta larguar Ranierin. Këtë mund ta kuptojmë edhe nëpërmjet ndeshjes së fundit që kampioni e fitoi ndaj Liverpoolit të Jurgen Kloppit me rezultat 3:1, ku luajtën një lojë të bukur, të ngjashme me të sezonit të kaluar.
Por, sërish po rikthehemi te rreziku i madh për rënie nga Liga. Mbijetesa është qëllimi i vetëm i tyre në këtë sezon, të paktën në këto 12 xhirot e fundit që kanë mbetur në elitën e futbollit anglez. Çka nëse ndodh çudia dhe kampioni bjen nga Liga? Do të ishte shembulli më interesant në histori të Premier Ligës angleze. Askush nuk do ta kishte menduar një gjë të tillë nëntë muaj më parë, kur ata na shtangën të gjithëve. Por, tani një gjë e tillë është mëse e mundshme. Një skuadër që ka grumbulluar më pak pikë sesa që ka zhvilluar ndeshje mund të vlerësohet si e dobët. Të paktën kështu tregojnë rezultatet që përjashtojnë paragjykimet.

Tani, detyrën e trajnerit po e ushtron ndihmësi i Ranierit, Craig Shakespear. Misioni i tij është shpëtimi i skuadrës nga rënia në Championship, që realisht do të ishte humbja më e madhe në historinë e këtij klubi. /Periskopi.com





