Kandidati i VV-së për deputet në Shqipëri i rikthehet fuqishëm politikës në Kosovë: Citon UNMIK-un

Kandidati i VV-së për deputet në Shqipëri i rikthehet fuqishëm politikës në Kosovë: Citon UNMIK-un

Ish kandidati i Vetëvendosjes për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Boiken Abazi, i është rikthyer angazhimit të tij në jetën politike në Kosovë. Përmes një statusi në  Facebook ai ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicën).

Abazi – që nuk ia doli të fitonte një ulëse deputeti në Shqipëri përkundër mbështetjes së kryeministrit Kurti – i ka dalë ashpër kundër Zajednicës edhe me anë të një qëndrimi të UNMIK-ut të vitit 2003.

Kujtojmë që Vetëvendosje me aktivistët e saj të prirë nga Albin Kurti kishin pasur përplasje të jashtëzakonshme me UNMIK-un, përcjell Periskopi.

Sidoqoftë, kjo nuk e ka penguar Abazin të citojë Micheal Steinerin, administratorin e famshëm të UNMIK-ut për çështjen e asociacionit.

“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Korniza Kushtetuese nuk parashikojnë institucione të bazuara mbi mono-etnicitetin”, duke shtuar më tej se asociacioni “nuk ka vlerë ligjore për Kosovën”. – thotë z. Steiner i cituar nga Abazi.

Sidoqoftë, vlen të përmendim se Kosova ka shpallur Pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.

Nuk dihet nëse z. Abazi për shkak të angazhimit në politikën e Shqipërisë e di se kryeministri Albin Kurti tashmë ka shkelur qëndrimin e tij për dialog me Serbinë dhe ka udhëtuar në Bruksel për ta takuar presidentin serb Vuçiq.

Statusi i plotë:

Edhe UNMIK-u dhe Rezoluta 1244 kundër “Zajednicës”

Që në vitin 2003, prej kur disa struktura politike të serbëve të Kosovës, në koordinim me Beogradin, shpallën për herë të parë “Zajednicën” (asociacionin e komunave me shumicë serbe), UNMIK-u ka reaguar për ta kundërshtuar përmes një deklarate zyrtare të Michael Steiner, të dërguarit të posaçëm në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së  (UNMIK-u: struktura e gabuar që detyrohet të pranojë gjënë e duhur). Në vijim deklarata e plotë e Steiner:

“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Korniza Kushtetuese nuk parashikojnë institucione të bazuara mbi mono-etnicitetin”, duke shtuar më tej se asociacioni “nuk ka vlerë ligjore për Kosovën”.

Kjo situatë krijon një tjetër paradoks:

  1. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, por
  2. Serbia e njeh asociacionin mono-etnik si të vlefshëm dhe ligjor, si dhe
  3. Serbia e njeh Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit si të vlefshme dhe ligjore, por

ç. Rezoluta 1244 nuk e njeh asociacionin mono-etnik serb si të vlefshëm dhe ligjor.

Në fund, edhe me vendimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës asociacioni mono-etnik konsiderohet si antikushtetues, por edhe sipas Rezolutës 1244 (që e ka për zemër Serbia), asociacioni mono-etnik konsiderohet i pavlefshëm ligjërisht.

Shpërndaje në: