Kanosën gjykatësin dhe ish-prokurorin special: Ndryshohet aktakuza ndaj Manxhukës, Azemit dhe të tjerëve

Kanosën gjykatësin dhe ish-prokurorin special: Ndryshohet aktakuza ndaj Manxhukës, Azemit dhe të tjerëve

Aktakuza ndaj dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje – të akuzuarit Arlind Manxhuka, Egzon Azemi – si dhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, është ndryshuar nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu në seancën e rigjykimit. 

Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenelaj akuzohen për “Kanosje”. Ata akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorin special, Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, në këtë seancë, të akuzuarit Azemi, Manxhuka dhe Zenelaj u mbrojtën në heshtje, duke qëndruar pranë deklarimeve të dhëna në gjykimin e mëparshëm.

Ndërkaq i akuzuari Elshani tha se ështe i gatshëm të përgjigjet, por se nuk kishte pyetje nga avokati i tij Muharrem Kurtaj, as nga prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu dhe as nga trupi gjykues.

Në gjykim nuk kishte propozime shtesë për plotësim të provave. Ndërkaq, në fjalë përfundimtare prokurorja Fejzullau tha se nga provat që janë administruar dhe analizuar duhet të ndryshohet aktakuza.

Sipas prokurores, te vepra penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, duhet të hiqet paragrafi 2, të lihet vetëm paragrafi 1, gjithashtu të hiqet pjesa ku thuhet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale në cilësi të personave zyrtarë, kurse për veprën penale “Kanosje” të hiqet paragrafi 3 dhe të zëvendësohet me paragrafin 1.

Prokurorja Fejzullahu tha se pa mëdyshje është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale – Azemi dhe Manxhuka veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj atë të “Kanosjes”.

Sipas prokurores, Gjykata duhet t’i shpallë fajtorë të akuzuarit dhe të caktojë dënimin bazuar në dispozitat ligjore.

Pas ndryshimit të aktakuzës, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

Shpërndaje në: