Kapja e shtetit: Qeveria i rras hundët dhe synon të politizojë stafin civil (Dok.)

Kapja e shtetit: Qeveria i rras hundët dhe synon të politizojë stafin civil (Dok.)

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme [MPB] e kanë marrë me urgjencë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, i cili pritet të dërgohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës për votim.

Periskopi ka siguruar draft-Projektligjin, ku Qeveria Kurti ka bërë disa ndryshime rrënjësore sa i përket shërbyesve civil me pozita të mesme dhe të ulta udhëheqëse.

Nëpunësit civil që kanë pozita të mesme dhe të ulta udhëheqëse, pas kalimit të këtij ligji në Kuvend, do të emërohen me mandat.

“Nëpunësi civil në një pozitë të kategorisë së mesme dhe të ulët drejtuese, pas përfundimit të procedurës së konkurrimit dhe përzgjedhjes, emërohet për një mandat me kohëzgjatje prej katër (4) vite me të drejtë vazhdimi vetëm edhe për një mandat tjetër me kohëzgjatje të njëjtë. Emërimi bëhet nga njësia përgjegjëse.”, thuhet në Neni 41, pika 1, i Ligjit për Zyrtarët Publik, të cilin e ka siguruar Periskopi.

Sipas këtij Neni, tash e mbas, të gjithë nëpunësit civil me pozita të mesme dhe ulëta drejtuese do të emërohen me mandat e që me Ligjin e paraprak kanë pasur mandat të përhershëm.

Ky ndryshim, nënkupton që institucionet do të mund të politizohen edhe më shumë si shkak i ndryshimi të këtij ligji nga Qeveria Kurti. Pasi që emërimi i drejtuesve bëhet nga ministrat përkatës.

Ndërkohë, ndryshimin e këtij ligji, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civili të Kosovës, Mursel Zymberi, po e sheh si ‘kapje të shtetit’ dhe ‘nënçmim të nëpunësve civil’.

Zymberi ka thënë se do të ketë reagime të ashpër lidhur me futjen e Nenit 41 në Ligjin për Zyrtarët Publikë.

“Me komisoniet që i ka formu Qeveria në Ligjin për Zyrtarët Publikë e ka shtu edhe Neni 41 që nuk ka qenë më herët dhe që nuk koincidon me analogji se çka kanë dashtë këta njerëz me ba, por jemi kursyer për shkak të fushatës dhe nuk kemi bë ndonjë reagim, përndryshe këtu ka me pasë reagime të ashpra. Kam reagime të shumta anë e kënd niveleve komunale por edhe nivelit qeveritar që nuk pranojnë në asnjë mënyrë që kjo të futet. Ne si sindikatë e vlerësojmë këtë si kapje të shtetit dhe nënçmim për zyrtarët profesional që ofrojnë shërbime për qytetarët dhe thjesht po humbet profesionalizmi, në këtë rast e kanë një akt-emërim në bazë të Ligjit për Shërbyesit Civil dhe tani që këta ja kufizojnë ia bëjën me dije që o duhet të jesh në këtë vijë ose duhet me lëshu mandatin”, ka thënë Zymberi për Periskopin.

Tutje ai shprehu shqetësimin e Sindikatës nëse ky ligji kalon në Kuvend, duke theksuar se Qeveria Kurti nuk po gjen kohë që të takohet e konsultohet me ta.

“Kjo është shqetësim edhe brengë shumë e madhe e Sindikatës, por pas kësaj jave do shohin vështirë është me pasë marrëveshje se komunikimi me ta është shumë i ranë pavarësisht se kanë thënë përpara se tash janë më të ngurtë se secila qeveri deri tash”

“Kërkesa i kemi pasë deri tash të njëpasnjëshme për takime dhe konsulta nuk gjejnë kohë me u taku me sindikata dhe si duket dëshirojnë të na revoltojnë me çdo kusht që me e gjujtë barrën dhe përgjegjësinë te zyrtarët publikë”, ka thënë kryetari i SShCK-së.

Ndryshe sipas legjislacionit aktual, këto pozita janë pozita të karrierës dhe me afat të pacaktuar.

Nuk dihet saktë se kur do të shkojë për votim në Kuvend ky ligj, por ajo që dihet deri më tani është se emërimi me mandat ndikon në subjektivitetin e nëpunësve civil.

Ndryshe, Qeveria Kurti është kritikuar vazhdimisht për ‘kapje të shtetit’ pas emërimeve që ka bërë në disa borde e në institucione./Periskopi/

Shpërndaje në: