“Kartela e veteranit”: Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenajt në Serbi – krejt çka dihet
26 Nov, 8:20
Vetëm disa ditë pas lirimit të ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu i cili në qershor të këtij viti ishte arrestuar në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, një tjetër ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit është arrestuar nga autoritetet në Serbi.
Lajmi për arrestimit e Qenajt nga autoritetet në Serbi është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe nga OVL e UÇK-së.
Nga MPJD kanë theksuar se po ndërmerren të gjitha veprimet për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së tij.
Sipas njoftimit të MPJD-së, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te autoritetet serbe për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen ku po mbahet si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ministria njofton gjithashtu se është informuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe janë dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it, për të siguruar mbikëqyrje dhe angazhim ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të Qenajt.
Tutje bëhet e ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të procedojë me kërkesën për lejimin e vizitës së të arrestuarit sapo të konfirmohet lokacioni i saktë i tij.