KEK e konfirmon daljen e bllokut A3: Po kontrollojmë për të identifikuar shkakun

KEK e konfirmon daljen e bllokut A3: Po kontrollojmë për të identifikuar shkakun

Korporata Energjetike e Kosovës, ka konfirmuar raportimin e Periskopit se Njësia A3 ka rënë nga operimi.

Në njoftim thuhet se, ekipet profesionale dhe teknike të KEK’ut janë duke realizuar verifikimet dhe kontrollimet e nevojshme për të identifikuar shkakun dhe për të ndërmarrë masat e duhura.

Tutje, shtohet edhe se, operimi i sistemit elektroenergjetik është duke vazhduar në mënyrë të ‘’qëndrueshme dhe të kontrolluar’’, dhe se po operohet me katër  njësi gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2

Njoftimi:

Njësia A3 ndalet përkohësisht nga operimi – operimi i sistemit mbetet i qëndrueshëm

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se sot, rreth orës 18:40, ka vepruar releja mekanike e Buchholz-it të bllok-transformatorit energjetik 15.75/220 kV, 240 MVA, si pasojë e së cilës Njësia A3 është ndalur përkohësisht nga operimi, në përputhje me standardet dhe parametrat e sigurisë teknike.

Ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. janë duke realizuar verifikimet dhe kontrollimet e nevojshme për të identifikuar shkakun dhe për të ndërmarrë masat e duhura për sanimin e situatës, në përputhje me procedurat teknike operative.

Sqarim për opinionin publik

KEK sh.a. informon se operimi i sistemit elektroenergjetik po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar, pasi aktualisht po operon me katër (4) njësi gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2, në përputhje me planin e prodhimit dhe bilancin energjetik të aprovuar.

Njësia e pestë aktivizohet sipas nevojës dhe parametrave teknikë, me qëllim të adresimit të rritjes së konsumit, pa cenuar stabilitetin dhe sigurinë operative.

KEK sh.a. falënderon stafin teknik dhe punonjësit për reagimin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm në garantimin e operimit të sigurt dhe të besueshëm të kapaciteteve prodhuese.

Shpërndaje në: