Kelmendi: Nuk do ta votoj Haradinajn për kryeministër

Kelmendi: Nuk do ta votoj Haradinajn për kryeministër

Zëvendëskryeministri në largim nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi nuk do ta votojë mandatarin për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN për formimin e Qeverisë, Ramush Haradinajn.  

Në një prononcim për Periskopin, Kelmendi tha se Haradinaj është mandatar për formimin e Qeverisë nga një koalicion tjetër dhe ka një projekt tjetër, andaj thotë se asnjë mënyrë ai nuk do ta votojë PAN’in apo Haradinajn.

“Çdo formë tjetër e thënies, e thashethemeve ka të bëjë me njollosjen e njerëzve eminentë të shtetit të Kosovës, tu dashtë me nënçmu e ofendu e me shti dyshime te kryesia e LDK’së për labilitetin që unë e kam. Jam shumë stabil në qëndrimet e mia dhe kam qëndrime të përbashkëta me koalicionin LAA”, tha Kelmendi për Periskopin.

Ai foli edhe ftesat e vazhdueshme që koalicioni PAN po i bën LDK’së për bashkëqeverisje.

“Është e drejtë e tij ta ftojë LDK, pasi nuk i ka numrat. Nuk i ka pas këta deputetë që synon me i përgoju. Kjo tregon që Qeveria nuk mund të formohet nëse liderët politikë nuk kanë qasje konstruktive e profesionale në të tashmen e në të ardhmen”, shtoi Kelmendi.

Më tej tha se koalicioni LAA do të vazhdojë takimet me Lëvizjen Vetëvendosje në nivel ekspertësh.

“Ne do të vazhdojmë takimet me Vetëvendosjen, në nivel të ekspertëve. Të takohen niveli i ekspertëve dhe të gjitha bisedimet do të ndodhin pas dështimit të Haradinajt në tentimin e parë. Pas dështimit, hapen rrugë për bisedime në nivele më të larta me Vetëvendosjen”, deklaroi Kelmendi për Periskopin.

Sipas Kelmendit, PAN do të vazhdojë përpjekjet për sigurimin e votave për formimin e Qeverisë, por sipas tij, nuk do ta arrijnë një gjë të tillë.

Ndryshe, emri i Ramiz Kelmendit u lakua si një nga deputetët e zgjedhur që mund ta votojë Haradinajn për kryeministër./Periskopi

 

Shpërndaje në: