Këngëtarja e famshme serbe: Dua koncert në Kosovë, do të jem e dhunshme me policët e Kosovës
Këngëtarja e famshme serbe, Kristina Kija Kockar, ka bërë komente të ashpra politike për mediat serbe në lidhje me Kosovën.
Këngëtarja në fjalë është pyetur nga gazetarët e televizionit PINK se çka mendonte për [sic] skandalin në Jarinje ku nga autoritetet kosovare ishin ndaluar zyrtarët, lojtarët dhe tifozët e klubit të famshëm serb Crvena Zvezda që të luanin në Kosovë me klubin lokal serb, Trepça.
Ajo u ndje e irrituar për këtë çështje duke deklaruar se “Kjo [ndalimi] është gjë e padëgjuar më parë që ne të mos mund të hyjmë në vendin tonë. Kosova është zemra e Serbisë dhe kështu do të mbetet përgjithmonë. Me të vërtetë nuk e kuptoj pse ndodhi kjo… ishte një ngjarje sportive. Ky është një turp i plotë.”
E pyetur se si do të reagonte ajo tha me zemërim “Epo, ata me siguri do të më arrestonin, por unë do të reagoja dhunshëm. E pse do të më kthenin? Sepse po përhapja paqen?”
Më tej, gazetarët e pyetën se a e kishte ndërmend që të vinte në Kosovë për të mbajtur koncert.
“Sigurisht që e kam në plan të shkoj në Kosovë. Kam shumë njerëz nga Kosova që më mbështesin dhe më duan. Unë jam shumë e ndjeshme për këtë temë.”
Pas këtyre deklaratave ajo është kritikuar nga komentarë të ndryshëm serbë, njëra prej të cilave e ka quajtur “budallaqe” dhe që nuk merr vesh në politikë.
Aktorja e famshme serbe Eva Ras deklaroi si vijon për këngëtaren: “Ajo është budallaqe. Zoti na ruajt të kishim një politikane si Kija.” /Periskopi



