Kërkohet paraburgim për katër të arrestuarit në operacionin e djeshëm në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër persona të arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar dje në Vushtrri.
Tre prej të pandehurve, me iniciale Rr.G., A.G. dhe E.G., dyshohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa i pandehuri K.G. akuzohet për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.
Operacioni është kryer më 21 shtator nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Policia ka kontrolluar disa lokacione në fshatin Ropicë dhe në qytetin e Vushtrrisë, ku janë gjetur dhe sekuestruar:
-
dy armë të shkurta,
-
352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm,
-
dy karikatorë,
-
dy palë dylbi,
-
shtatë telefona celularë,
-
një shkop druri, një palë dorëza dhe një thikë,
-
dokumente të ndryshme, përfshirë një pasaportë dhe një patentë shoferi,
-
një USB, një laptop, një palë patika dhe një çelës motori.
Të arrestuarit ndodhen në ndalim 48 orësh me vendim të prokurorit, ndërsa seanca për caktimin e paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës – Dega në Vushtrri.



